Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Dodona” shtatë muaj në kërkim të drejtorit, anulohet konkursi

Vendi  |  04.05.2023 Ora 10:08   

Komuna ka anuluar konkursin e dytë për drejtor të “Dodonës”. Huqjet procedurale dalin të jenë arsyet zyrtare të Komunës. Telashet me procedura ishin bërë arsye që konkursi të anulohej edhe vitin e kaluar. Ishin paraqitur tre kandidatë: ish-drejtori Visar Krusha, punonjësi i “Dodonës”, Faik Gashi, dhe aktorja Anita Muriqi.

 

Komuna e Prishtinës ka më shumë se shtatë muaj që nuk ia del ta bëjë teatrin “Dodona” me drejtor. Institucioni lokal teatror nuk do të bëhet me udhëheqës të paktën edhe për një kohë.
 

Komuna të martën ka anuluar konkursin e dytë për drejtor të “Dodonës”. Huqjet procedurale dalin të jenë arsyet zyrtare të Komunës. Telashet me procedura ishin bërë arsye që konkursi të anulohej edhe vitin e kaluar.
 

Në nëntor të vitit të kaluar Komuna kishte hapur thirrje për rekrutim të brendshëm për këtë pozitë. Më pas ky konkurs ishte anuluar, pasi sipas Ligjit për teatro, në teatrot publike udhëheqësit zgjidhen me konkurs publik. Komuna do t’i kthehej “Dodonës” në janar të këtij viti. Do të hapte konkursin, nëpërmjet të cilit afati për aplikim ishte deri në ditën e tretë të marsit. Ishin paraqitur tre kandidatë: ish-drejtori Visar Krusha, punonjësi i “Dodonës”, Faik Gashi, dhe aktorja Anita Muriqi.

 

Kësaj radhe institucioni lokal kishte caktuar që vlerësimi i kandidatëve të bëhej nga një komision, ku ishin emëruar punonjësit e Komunës: Mimoza Llapashtica, Lindita Hajdari, Shaip Islami, Yllka Syla dhe menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.

 

Kësaj radhe kishte dyshime për dy çështje. KOHA ka mësuar se e para ishte nëse ishin përcaktuar saktë kriteret që duhet plotësuar kandidatët dhe i dyti nëse një komision i posaçëm mund ta bëjë vlerësimin. E konkursi është anuluar në vonesë të interpretimit të Zyrës ligjore të Komunës. Realisht edhe Zyra Ligjore në opinionin që ka përgatitur, sipas asaj që ka marrë vesh KOHA, ka bërë të ditur se vlerësimi i kandidatëve duhet bërë në bazë të Ligjit për teatro.

“Emërimin e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik e bën Këshilli drejtues i teatrit”, shkruhet në nenin 13 të Ligjit. Sipas konkursit kërkohej që kandidatët të kenë “Diplomë universitare (Fakulteti i Arteve, drejtimi Aktrim, Dramë, Regji) dhe 5 vjet përvojë profesionale”. Për këtë ishin kërkuar sqarime nëse përvoja duhet të jetë vetëm profesionale apo edhe menaxheriale. Sipas opinionit duhet jetë edhe menaxheriale.

 KOHA ka kërkuar sqarime për anulimin e konkursit nga drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj. Ajo ka rekomanduar që pyetjet t’i drejtohen Zyrës për burime njerëzore.
 

“Dodona” ka në përbërje të Këshillit Drejtues: Kushtrim Koliqin, Doruntina Bashën, Hana Qenën, Arif Muharremin dhe Fatime Mehmetin.
 

Kushtrim Koliqi, i cili kryeson Këshillin, ka thënë të mos jenë në dijeni për anulim konkursi e as për caktim të ndonjë komisioni për vlerësim.
 

“Nuk kam informatë për komision paralel, por si profesionist i fushës dhe bazuar në ligjet aktuale këtë proces e udhëheq Këshilli Drejtues. Nëse ka ndërruar ndonjë gjë, atëherë unë nuk e di”, ka thënë ai. Sipas tij, zvarritjet e tilla nuk duhet të ndodhnin.
 

“Me të vërtetë është shumë brengosëse që procesi i përzgjedhjes së drejtorit po zvarritet në këtë mënyrë. Sigurisht që ka arsye të ndryshme. Por të gjithë akterët, si Komuna edhe ne si Këshill, duhet t’i kryejmë detyrat tona që kjo pozitë të jetë atraktive për ata që duan ta drejtojnë Teatrin”, ka thënë ai. Sipas Koliqit, duhet bërë të gjithë hapat që procesi të përfundojë sa më shpejt, pasi ai institucion edhe me drejtor ka shumë sfida, kurse pa drejtor ato veç shtohen.
 

Visar Krusha i cili për katër vjet ka udhëhequr institucionin e tash ia kishte mësyrë prapë kësaj pozite, ka thënë se mungon serioziteti në proces.
 

“Këtu ka mungesë serioziteti. Mua më ka përfunduar mandati në shtator. Qysh disa muaj më herët e kam njoftuar Komunën për këtë, në mënyrë që të hapej konkursi”, ka thënë ai.
 

“Dodona” është pjesë e institucioneve të kulturës të cilat kohëve të fundit kanë pasur telashe për t’u bërë me udhëheqës. Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësuese e drejtorit të GKK-së është Alisa Gojani.
 

Teatri Kombëtar i Kosovës kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të vitit të kaluar, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik kishte nisur qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën fare për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare. Tek në janar të këtij viti këtë pozitë e ka marrë Kushtrim Mehmeti.
 

Në dhjetor të vitit 2021 Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime. Ministrisë së Kulturës i ishin dashur më shumë se një vit për të hapur konkurs. Në prillin e sivjetmë në këtë pozitë është emëruar regjisorja Berta Zeiqiri.
 

Kurse prej 17 korrikut të vitit të kaluar deri në janarin e sivjetmë ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ishte pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit, pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”. Konkursi për këtë pozitë ishte hapur prapë, ku kandidati i pesëfishtë për këtë pozitë dhe drejtor qe zgjedhur Mehmed Xhemalji.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing