
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, deklaroi se kryetarët e komunave po përballen me telashe që kërkojnë zgjidhje urgjente, derisa i bëri thirrje Qeverisë që të nisë trajtimin e problematikave lokale.
Ai shtoi në SOT të KTV-së, se ndër problemet kryesore janë komunat që s’kanë prona për varreza, çështja e 37.5 milionë eurove që janë pezulluara nga Ministria e Financave dhe çështja e tatimit në pronë.
Sipas Ibrahimit, MF-ja i ka pezulluar paratë që iu takojnë komunave dhe janë mjete të tyre, me ç’rast siç tha ai, shumë projekte do të mbesin pa u realizuar për shkak të këtyre parave.
“Çështja e 37.5 milionë euro të pezulluara nga Ministria e Financave, duhet të gjejnë zgjidhje sepse komunat kanë paraparë shumë projekte për investime kapitale, me qindra, dhe nëse këto mjetet mbesin të bllokuara, s’mund të realizohen projektet në investimet kapitale. E këto mjete janë të komunave, është hera e parë që niveli qendror po i bllokon të hyrat vetanake”, tha ai.
Sipas drejtorit të AKK-së, kurrë s’ka ndodhur që niveli lokal të marrë vendime për falje të tatimit në pronë, pasi kjo i takon Qeverisë, derisa tha se duhet të bëhet falja e 100 eurove, niveli qendror duhet t’i kompensojë komunat.
“I kemi argumentuar nga komunat se perse kjo duhet të ndodhë...Ka shumë projekte që janë të parapara me këto mjete financiare, e nëse shkurtohen mjetet buxhetore, do të shkurtohen edhe shumë projekte në nivel lokal. Shumica absolute e kryetarëve të komunave kërkojnë barazi sa i përket ndarjes buxhetore në nivelin lokal. Deri më tani janë mbi 100 euro që ndahen nëpërmjet ministrive në komuna, në vend që të shkojnë në nivel lokal, shkojnë në ministri të ndryshme dhe aty hartohen kritere dhe pastaj shkojnë ato në nivel lokal. Kemi kërkuar që këto të shkojnë drejt në komuna, sepse në ministri po ndodhin disa pabarazi”, theksoi ai.
Ibrahimi tha se në takim me kryeministrin Albin Kurti të hënën, u adresuan disa nga çështjet që duhet të zgjidhen, ndërsa shtoi se pret që Kurti të merret seriozisht me to./koha/