Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Projektimi i “Gërmisë” si galeri me sallë të re – 1.6 milionë euro shtesë

Kulturë  |  16.05.2023 Ora 10:15   

Menaxhmenti aktual i Komunës së Prishtinës ka hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Synimi është që ndërtesa aktuale e “Gërmisë” të adaptohet në hapësirë ekspozuese, kurse salla koncertale të jetë ndërtesë e re në hapësirën e parkingut të kompleksit. Kostoja e projektimit do të jetë 1.6 milionë euro. Kaq peshon edhe kontrata, që nëpërmjet procedurës së negocimit i është dhënë “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”. Sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”, studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, do të finalizojnë projektin

 

Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës ka hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Synimi është që ndërtesa aktuale të adaptohet në hapësirë ekspozuese, kurse salla koncertale të jetë ndërtesë e re në hapësirën e parkingut të kompleksit. Kostoja e projektimit do të jetë 1.6 milionë euro. Kaq peshon edhe kontrata që nëpërmjet procedurës së negocimit i është dhënë “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”. Sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”, studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, do të finalizojnë projektin. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por ai plan ideor, tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
 

Arkitekti Bekim Ramku ka sqaruar se në fazë të parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit.
 

“Do të shohim se në çfarë gjendjeje është dhe si mund të kthehet në gjendjen autentike sa i përket pamjes. Njëkohësisht në Tokio do të fillohet me përpilimin e projektit skematik së bashku me ndryshimet për të cilat jemi pajtuar me qytetin”, ka thënë Ramku.

 

Sipas tij, do të mundohen që të mbajnë sa me shume nga struktura ekzistuese.

 

“Objekti kryesor të kthehet në një hapësirë ekspozuese, galeri, hapësirë instilacionesh, kurse salla e koncerteve do të jetë e vendosur në pjesën ku tash është parkingu i kompleksit”, ka shpjeguar Ramku. Sipas tij, programi nuk ka ndryshuar nga ai fillestar, veçse janë shtuar metrat katrorë të hapësirës.

“Projekti si total do të rritet për rreth 5 mijë metra katrorë e në përgjithësi do të jetë rreth 14 mijë e 500 metra katrorë”, ka thënë ai. Sipas Ramkut, projektimi do të jetë gati për 8 muaj nëse gjithçka shkon sipas planit dhe nuk ka vonesa nga Komuna për aprovime, informata shtesë e nevoja të tjera.
 

Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të këtij viti, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.
 

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.
 

Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.
 

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.
 

“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.
 

Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.
 

Në mars të këtij viti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte treguar se kostoja e projektimit do të mbulohet nga vetë institucioni që ai udhëheq.
 

“Bashkimi Evropian ka thënë se nuk ka fonde për këtë fazë. Por do ta financojmë ne dhe Ministria e Kulturës na ka thënë se do të na bashkohen. Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit, që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, kishte thënë ai.
 

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të implementohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake.
 

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
 

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.
 

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të vitit 2020, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes, a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e Këshillit të Evropës të ridestinohen dhe të humbë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale, që ndërtohej kryesisht me donacion prej 11.4 milionë eurosh. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor./KOHA/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing