Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kosova me përfaqësim të dyfishtë në Cannesin e festës së kinemasë

Kulturë  |  18.05.2023 Ora 10:24   

“Festivali i festivaleve”, siç njihet ai i Cannes, ka hapur edicionin e 76-të me glamur e me plot yje. Vjen si kontrapunkt pas viteve të pandemisë e në kohë luftërash duke e theksuar fuqinë e kinemasë. Në fakt feston për të, e festës i janë bashkuar edhe yje si Michael Douglas e Johnny Depp që luan në “Jeanne Du Barry”, i cili ka ndezur projektorin. Kosova sivjet nuk ka ndonjë film, por prezantohet dyfish: si shtet nëpërmjet shtandit të Qendrës Kinematografike e po ashtu edhe nëpërmjet festivalit “DokuFest”. “Na shikojnë si profesionistë prej një vendi që sjell filma interesantë”, ka thënë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së

 

Bota e kinematografisë ka kthyer vëmendjen në Cannes. “Festivali i festivaleve”, siç njihet ndryshe ai që mbahet në rivierën franceze, edhe sivjet është nikoqir i qindra filmave në programet garuese e ato të promovimeve e bashkëpunimeve. Kosova ka përfaqësim të dyfishtë: si shtet nëpërmjet shtandit të Qendrës Kinematografike e po ashtu edhe nëpërmjet festivalit “DokuFest”, që është partner i festivalit më prestigjioz të filmit në botë.
 

Siç është traditë, teatri i madh “Lumière” ka bërë bashkë kinematografë nga e gjithë bota në hapjen e Festivalit.
 

Aktorja Chiara Mastroianni është shfaqur në hapje të edicionit të 76-të duke kënduar këngën e dashurisë “Mi sono innamorato di te…”. Midis të tjerash ka thënë se janë mbledhur prapë në festivalin që gjithmonë “ka përcjellë bukurinë, forcën dhe gëzimin e saj”. Të pranishmëve të martën mbrëma u ka thënë se arsyeja e ekzistencës së Festivalit që nga themelimi i tij, në vitin 1946, mbesin ende gëzimi dhe liria.

 
Image
Pjesë e botës së madhe të kinematografisë në Cannes në shtandin numër 134, bashkë me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendra Kinematografike e Kosovës po prezanton atje filmat vendorë dhe projektet që janë në realizim e sipër
 

Shpejt ka prezantuar edhe jurinë e sivjetshme për “Palmën e Artë”. Regjisorja marokene Maryam Touzani, aktori francez Denis Ménochet, skenaristi dhe regjisori britaniko-zambian Rungano Nyoni, aktorja dhe regjisorja amerikane Brie Larson, aktori amerikan Paul Dano, shkrimtari afgan Atiq Rahimi, regjisori argjentinas Damián Szifron dhe regjisorja franceze Julia Ducournau, përbëjnë jurinë e kryesuar nga suedezi Ruben Östlund.

 

“Ajo që e bën kinemanë unike është shikimi i filmave së bashku, fizikisht në të njëjtën hapësirë”, ka thënë Östlund, regjisori i gjashtë filmave, me dy prej të cilëve ka marrë “Palmën e Artë”: “The Square: më 2017 dhe “Triangle of Sadness” më 2022.

Për të pranishmit ka interpretuar bendi “Gabriels” nga Kalifornia. Nëpërmjet këngës “Stand by Me” ata kanë zhvendosur pak vëmendjen nga bota e filmit, duke bërë që të pranishmit të fokusohen vetëm te një komponentë e këtij arti – muzika.
 

Spektakli brenda teatrit pas glamurit të shpërfaqur në tepihun e kuq ka vazhduar me të ftuarin special, laureatin e “Palmës së Artë të Nderit” që u atribuohet atyre që kanë pasur një ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në kinematografi.
 

“Nuk shoh se si dikush tjetër përveç Michael Douglas mund të jetë më meritor. Një titan unik, një yll i përjetshëm dhe një artist rrezatues”, ka thënë Mastroianni derisa Douglas ka dalë në skenë. Nderimi i tij për vepër jetësore ka qenë prej momenteve kryesore të ceremonisë hapëse.
 

“Pas viteve të një epidemie dhe luftërave që po copëtojnë botën më shumë se kurrë, ky festival na kujton se ka diçka pozitive. Kinemaja nënvizon të përbashkëtat tona, mund të kapërcejë kufijtë tanë dhe të bashkojë qeniet njerëzore. Për Cannes dhe Francën: Ju përqafoj me gjithë zemër”, ka thënë aktori Douglas, ikonë e kinematografisë botërore, shoqëruar prej Catherine Zeta-Jones dhe vajzës së tyre, Carys.
 

Ekrani i këtij edicioni është ndezur për filmin “Jeanne du Barry” nën regji të Maïwenn Le Besco. Në filmin që është jashtë konkurrencës paraqitet historia e një gruaje të klasës punëtore që mëton të ngjitet në klasë të lartë shoqërore duke përdorur bukurinë e saj. Sipas sinopsisit, kjo grua dhe mbreti Louis XV nisin një jetë të re së bashku. Mbreti portretizohet nga Johnny Depp, i cili qysh në fillim të festivalit ka marrë vëmendje të madhe. Është kthyer në ekran pas një kohe jo të shkurtër shkaku i telasheve gjyqësore me ish-bashkëshorten Amber Heard. Ai ka komentuar edhe bojkotin që po i bën Hollywoodi. Bile, ka thënë se nuk ka nevojë fare për atë industri.
 

“Unë nuk ndihem i bojkotuar nga Hollywoodi. Unë vetë nuk kam shumë nevojë për Hollywoodin”, ka thënë ai. Në Cannes e ka ndier veten si pjesë të kinematografisë botërore.

E pjesë e botës së madhe të kinematografisë në Cannes në shtandin numër 134, bashkë me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendra Kinematografike e Kosovës po prezanton atje filmat vendorë dhe projektet që janë në realizim e sipër.

Image
Festivali i Filmit në Cannes me edicionin e 76-të kthehet në shkëlqimin e plotë që e karakterizon

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, e cila e ka marrë këtë pozitë muajin e kaluar, ka thënë se bëhet fjalë për një prezantim e përfaqësim të jashtëzakonshëm.

“Ka shumë interesim për shtandin tonë nga njerëzit e industrisë së filmit nga e gjithë bota e nga festivalet e ndryshme. Po i promovojmë filmat tanë që i kemi tash dhe ata që i kemi pasur më herët. Po tregojmë që këto projekte do të konkurrojnë në vitet e ardhshme nëpër festivale”, ka thënë ajo. Sipas Zeqirit, është krenari shumë e madhe që Kosova ka arritur deri në këtë nivel sa i përket kinematografisë. Ka kujtuar se para 20 vjetësh kishte qenë si studente në Cannes, dhe asokohe emri i shtetit më të ri në Evropë zgjonte veç ndjenja dhembshurie për një popull të dalë nga lufta.
 

“E tash është një fokus tjetër dhe na shikojnë si profesionistë prej një vendi që sjell filma interesantë”, ka thënë ajo të mërkurën, në ditën e dytë të Festivalit ku Kosova prezantohet tash e 12 vjet.
 

Përtej kësaj, edicioni që nisi të martën dhe përfundon në ditën e 27 të majit, prej të dielës do të jetë edhe nikoqir i përfaqësuesve të “DokuFestit”, Samir Karahoda e Veton Nurkollari.
 

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, për më shumë se dy dekada është dëshmuar me program të pasur e me prurje të filmave botërorë. Festivali me nam për të dytin vit me radhë i bëhet krah Festivalit të Cannes. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” do të jetë në “Marche du Film” (Tregu i Filmit), që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë. Cannes e ka ftuar festivalin kosovar gjithashtu edhe në forumin “Rendez-vous Industry”, dedikuar takimeve me profesionistë të filmave të shkurtër.
 

“Ne do të marrim pjesë në një numër të aktiviteteve atje, përfshirë ato në kuadër të rrjetit ‘Doc Alliance’, ku ‘DokuFest’ është ftuar si ‘guest festival’, në ‘One-on-one’ konsultime me filmbërësit dokumentarë si ‘decision maker’ në kuadër të ‘Cannes Docs’, si dhe në takimet me partnerët tanë nga institucionet e ndryshme të filmit”, kishte thënë javën e kaluar drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari.
 

“Cannes Docs” këtë vit shtrin programin prej 18 deri më 23 maj. Me të i dedikohet hapësirë dokumentarit me profesionistë të filmit dokumentar artistik, ku përfshihen krijues filmash dhe përfaqësues industrish. Në kuadër të organizimit mbahet edhe Dita Vjetore e Dokumentarëve, si festë ekskluzive njëditore e kinemasë dokumentare dhe e rolit të saj thelbësor në shoqëritë bashkëkohore. Në “Redez-vous Industry” që zgjat tri ditë do të zhvillohen takime me regjisorë që garojnë në konkurrencën zyrtare të Festivalin, në kategorinë “Semaine de la Critique” dhe në “Directort Fortnight”.
 

Kinematografia kosovare në Cannes kishte nisur historinë pikërisht me festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Atë vit gjithashtu ishte dhënë premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit, në kuadër të “Director's Fortnight” të Festivalit të Cannes. Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova vjet ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival prej 17 deri më 28 maj si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing