Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Anibari” në rrugëtim të ri me “Dashni” që s’njeh kufij

Kulturë  |  09.06.2023 Ora 10:25   

“Këtë edicion të festivalit e kemi vendosur që ta kemi temën e dashurisë për arsye se i kemi pasur edhe disa vjet të cilat kanë qenë të rënda për neve si shoqëri prej pandemisë dhe të gjitha ato që i ka sjellë pandemia dhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur”, ka thënë për KOHËN drejtoresha e festivalit “Anibar”, Arba Hatashi.

Dashuri e pozitivitet ka paralajmëruar tashmë “Anibari” për edicionin e 14-të. Festivali më i madh dhe i vetmi i filmave të animuar në Kosovë do të nisë më 17 korrik për të vazhduar deri më 23 . “Love | Dashni” është tema e sivjetme dhe janë 134 filma që do të ndezin projektorët në Pejë, i cili çdo vit në verë bëhet kryeqytet i animacionit jo vetëm në vend.

“Përgatituni për të nisur një udhëtim magjepsës, ndërsa festivali i animacionit ‘Anibar’ me krenari e shpalos temën e edicionit të 14-të: “Love | Dashni”. Nga data 17 korrik deri më 23 korrik 2023 ju ftojmë të na bashkoheni në Pejë, Kosovë, ku dashuria është në qendër të vëmendjes dhe mbush ajrin me ngjyrat e saj të gjalla dhe emocionet e përzemërta”, ka qenë përshkrimi i organizatorëve kur e kanë lansuar temën.

Përmes një gjuhë simbolike e një shkrimi unik, “Anibar” ka thënë se ka edhe më shumë detaje për temën. Ka bërë të ditur se do të shtjellohen dimensione të shumta të dashurisë.

“Në një botë të konsumuar shpesh nga kaosi dhe përçarja, ne tentojmë t’ia rikujtojmë vetes dhe çdokujt që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet! Por mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmbëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme”, shkruhet në komunikatë.

E për një gjë të tillë ka folur edhe drejtoresha e festivalit “Anibar”, Arba Hatashi. Ka thënë se tema e dashurisë vjen pas disa vjetëve të vështirë me pandeminë dhe kështu ky edicion do t’i kushtohet dashurisë në rrafshin e saj më të gjerë.

“Këtë edicion të festivalit e kemi vendosur që ta kemi temën e dashurisë për arsye se i kemi pasur edhe disa vjet të cilat kanë qenë të rënda për neve si shoqëri prej pandemisë dhe të gjitha ato që i ka sjellë pandemia dhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur. Këtë edicion kemi vendosur që të fokusohemi më shumë në tema pozitive dhe të dashnisë të cilën e kemi përreth. Për këtë arsye në edicionin e 14-të festivali ka vendosur që t’i dedikohet dashnisë të shumta që ne i ndiejmë si njerëz”, ka thënë ajo për KOHËN.

Hatashi ka folur edhe për karakteristikat e programit të sivjetmë. Përveç shfaqjes së filmave të animuar ajo ka bërë të ditur se gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe një sërë aktivitetesh të tjera përfshirë masterklasa, punëtori, prezantime e të tjera.

“Këtë edicion të festivalit do të kemi një program të kuruar nga ekipi ynë që merret me përcjelljen e temave që do të shfaqen përgjatë shtatë netëve të festivalit në kinematë e hapura dhe të mbyllura në Pejë dhe në të njëjtën kohë do të kemi prezantime ndërkombëtare, punëtori të shumta, masterklasa, por edhe forma të tjera që do t’i prezantojmë në mediumin e animacionit, por në të njëjtën kohë me e sjellë edhe botën ndërkombëtare në Kosovë dhe qytetin e Pejës”, ka thënë ajo. Ka bërë të ditur se këtë vit kanë konkurruar gjithsej 1.500 filma teksa prej tyre janë përzgjedhur 134, të cilët kanë aplikuar në shtatë kategoritë garuese si ajo e të drejtave të njeriut, kategoria e Ballkanit, kategoria e studentëve, kategoria e audiencës së re, kategoria e filmave të animuar video-muzikor, çmimi i audiencës dhe filmi më i mirë ndërkombëtar.

“Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, programi ynë artistik do t’ju zhysë në një kaleidoskop të çudirave të animuara dhe përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuqinë transformuese të lidhjeve njerëzore. Bashkohuni me ne, ndërsa përqafojmë natyrën e shumanshme të dashurisë, një forcë që tejkalon gjuhën dhe flet me thelbin e njerëzimit tonë. Le të festojmë format e panumërta që dashuria ndikon në jetët tona, ndez shpirtrat tanë dhe na frymëzon për të qenë më të mirë, si individë dhe si shoqëri”, shkruhet në komunikatë.

Edicioni i kaluar i festivali ishte mbajtur prej 13 deri më 19 korrik, teksa numrit 13 të edicionit i ishte kundërpërgjigjur me temën “Supersticious”.

“Një pikëtakim për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t'u ndier rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj besëtytë) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botës”, kishte thënë atëherë ekipi i “Anibarit”./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing