Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kinematografia bëhet me ligj të ri, ankesa deri në Kushtetuese

Kulturë  |  16.06.2023 Ora 10:26   

Më shumë se dhjetë vjet u janë dashur institucioneve të Kosovës që ta bëjnë kinematografinë me ligj të ri, por as kaq kohë s’ka mjaftuar që të arrihet një version që harmonizon kërkesat e disa kineastëve. Të enjten Kuvendi ka miratuar Projektligjin për kinematografi që zëvendëson Ligjin e vitit 2004, e fill kanë nisur ankesat e paralajmërimet për dërgimin e këtij akti deri në Gjykatën Kushtetuese.

Pas tentimeve tash e më shumë se një dekadë, kinematografia është bërë me ligj të ri. Me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për kinematografi. Proceduralisht, 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, Projektligji do ta zëvendësojë Ligjin për kinematografi, që është në fuqi prej vitit 2004.

Por menjëherë pas miratimit është paralajmëruar kundërshtimi i vendimit deri me dërgim të këtij akti ligjor në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë qëndrim ka dalë shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte”.

Historia e përplasjeve për Projektligjin për kinematografi ka zanafillë të vjetër. E mospajtime midis komunitetit të kinematografisë kishte edhe për versionin e miratuar të enjten.

Fuqia vendimmarrëse që parashihet të ketë drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, rabati prej 30 për qind që shteti synon t’ua kompensojë produksioneve të huaja, shuarja e “KosovaFilmit” e përmbajtja e asaj që quhet “vepër audiovizuale”, janë pikat më të nxehta të komunitetit të kineastëve në raport me Projektligjin për kinematografi.

Por në miratimin që i është bërë Projektligjit në leximin e dytë – dhe të fundit – deputetët nuk kanë debatuar fare.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, deputeti Ardian Gola, ka rekomanduar që Projektligji të mbështetet dhe kësisoj kanë vepruar 75 deputetë të pozitës dhe opozitës. Paraprakisht janë votuar 10 amendamente të propozuara nga ky komision, të cilat do të jenë pjesë përbërëse e Projektligjit.

Por asnjëri prej tyre nuk e prekin bazën e aktit. E ndryshimet në krejt aspektet e kinematografisë së Kosovës në raport me Ligjin aktual nuk do të jenë të vogla.

Me ligjin aktual Qendra Kinematografike e Kosovës ka Këshill Drejtues të përbërë nga pesë anëtarë. Të gjithë emërohen nga ministri i Kulturës, por e përbëjnë nga një i deleguar i Ministrisë së Kulturës, një i producentëve vendorë, një i Shoqatës sё Artistëve të Filmit, një i distributorëve dhe njё i kritikëve tё filmit. Kjo përbërje harton politikat dhe miraton planin vjetor të punës. Drejtori është krejtësisht menaxher ekzekutiv.

Me Projektligjin e ri situata përmbyset. Parashihet të ketë këshill profesional, i cili “këshillon ministrin për politikat zhvillimore të QKK-së, mbikëqyr dhe vlerëson zbatimin e politikave zhvillimore të QKK-së dhe harton raporte dhe rekomandime mbi efektshmërinë e zbatimit të politikave aktuale dhe masave që duhet të ndërmerren nga Ministria në funksion të avancimit të kinematografisë”. Po ashtu, “këshillon drejtorin në përzgjedhjen e jurive dhe të komisioneve të QKK-së”. Ndërsa drejtori “është organi kryesor menaxhues dhe drejtues i QKK-së”. Në raport me këshillin profesional, vetëm këshillohet. Për këtë, pas miratimit në lexim të parë më 2 shkurt të këtij viti, në diskutimet e bëra në Komision, disa kineastë kishin ngritur zërin. Përgjegjësitë dhe mandati që do të marrë drejtori ishin parë si centralizim i menaxhimit. Përderisa aktualisht drejtori i raporton Këshillit Drejtues, me Projektligj do t’i raportojë direkt ministrit të Kulturës.

Diskutimi i filmbërësve kishte ngjallur edhe shumë polemika sa i përket asaj që Projektligji e përcakton si rabat prej 30 për qind. Në praktikë mendohet që nëse një produksion i huaj bën në Kosovë shpenzime prej 1 milion eurosh, shteti t’ia rimbursojë 300 mijë prej tyre. Në këtë rast ishte përmendur mundësia për keqpërdorime.

Sipas versionit të Projektligjit që është në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, me vepër audiovizuale nënkuptohet një vepër si: filmi, filmi eksperimental, projekti filmik multimedial dhe transmedial, seriali filmik, videolojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje, me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes.

Në këtë pikë fort i zëshëm kishte qenë udhëheqësi i shoqatës “Pro Arte”, regjisori Agim Sopi. Sipas tij, ky projektligj pretendon të shtojë si substancë “veprimtarinë audiovizuale”, si një shtrirje të pakufishme veprimtarish amatore e komerciale në emër të të cilave grupe të ndryshme të shoqërisë civile do të kenë mundësi që me lehtësi të përfitojnë edhe nga buxheti i kinematografisë. Por, sipas koleges së tij, regjisores Blerta Basholli, “audiovizualja” nuk ka të bëjë vetëm me spote e videolojëra dhe reportazhe.

“Me akte nënligjore mund të rregullohet kjo çështje dhe duhet të mendojmë se nga po shkon kreativiteti pasi sot idetë janë të ndryshme”, kishte thënë ajo në takimin e 28 shkurtit.

E me Projektligj, “ndërmarrja shoqërore ‘Kosovafilm’ e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale, është njësi e posaçme në Qendrën Kinematografike të Kosovës”. Si gjithmonë kundërshtari kryesor i kësaj është ish-drejtori i “KosovaFilmit”, Gani Mehmetaj. Në atë takim Mehmetaj ishte kundër. Në 15 vjetët e fundit ka disa herë vendime për shuarje e shfuqizim vendimesh. Ndërsa me amendamentet që i janë shtuar Projektligjit të enjten i është shtuar edhe “’Kosovafilmi’ sipas nenit 7 të këtij ligji bartet në pronësi të QKK-së në afat prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Pavarësisht miratimit në lexim të dytë në Kuvend, kundërshtimet vazhdojnë. Regjisori Agim Sopi, i cili drejton shoqatën “Pro Arte” e cila numëron 80 anëtarë, ka thënë se bëhet fjalë për një akt ligjor antikushtetues.

“Diskriminon rëndë të drejtat dhe liritë e krijuesve kosovarë në favor të matrapazëve të huaj kulturorë dhe bandave vendore. Është dëshmi se grupet e krimit të organizuar në Kosovë janë mbi politikat e çdo partie, saktësisht udhëheqin politikat e të gjitha partive”, ka thënë ai. Sipas Sopit, vetëm ngjyrat ndryshojnë përderisa përmbajtja është e njëjtë “pasi Kosova qeveriset nga bandat e krimit të organizuar të cilat kanë ndarë sferat dhe sektorët e interesit dhe të cilat respektohen dhe pranohen si realitet nga çdo parti”.

“Thënë me gjuhën komuniste: vëllezër hajna të të gjitha ngjyrave, bashkojuni! Kjo është e vërteta e dhimbshme”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar se si shoqatë nuk do rrinë duarkryq.

“Do të bëjmë çmos që ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse mbërrin në Gjykatë, jam shumë i bindur se do të anulohet, sepse shkel të paktën tri nene të Kushtetutës”, ka thënë ai.

Por për ta arritur këtë qëllim Shoqata ka goxha punë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, palët e autorizuara për ta kontestuar kushtetutshmërinë e një ligji janë vetëm Kuvendi, Presidenti, Qeveria dhe Avokati i Popullit.

Historia e projektligjeve në këtë fushë është e vjetër. Katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për Kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.

Më 2016 ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e atij versioni të projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të atij projektligji ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Me Projektligjin e ri mënyra e zgjedhjes së jurive vlerësuese mbetet të përcaktohet me akt nënligjor. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing