Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Rolling Film Festival” ndez projektorin me rrëfimin e krenarisë rome

Kulturë  |  21.06.2023 Ora 10:22   

“Proud Roma”, i regjisorit Pablo Vegas, ka hapur edicionin e shtatë të “Rolling Film Festival” në “Kino Armatë”. I ka paraprirë performanca e fëmijëve të komunitetit rom, të cilët krenueshëm kanë shpalosur talentin e tyre.

Dhjetëra fëmijë të komunitetit rom janë mbledhur para publikut të pranishëm në “Kino Armatë”, duke i dhënë tjetër ndjesi hapjes së edicionit të shtatë të “Rolling Film Festival”, që i kushtohet pikërisht këtij komuniteti. Interpretimi i tyre në instrumente e këngë ka bërë që të pranishmit edhe ta festojnë hapjen e këtij edicioni të Festivalit. Fëmijët po ashtu kanë paraqitur edhe interesimin e të rinjve për të qenë të pranishëm në ngjarje kulturore. Talenti i tyre po ashtu është sprovuar në këtë ngjarje jo të vogël, të martën në Prishtinë. Tema e sivjetme është “Voiceless Voices” (Zërat e pazë).

Image
“Romë krenarë” pasqyron pasurinë dhe diversitetin e kombit rom, sfidon narrativat historike mbizotëruese dhe stereotipat negativë për ta, ndërsa kujton kontributet e shumta kulturore dhe historike që romët kanë dhënë në Evropë gjatë shekujve

Ky edicion është hapur me dokumentarin “Proud Roma” (Romët krenarë) të regjisorit Pablo Vega.

I frymëzuar nga filmi i vitit 1940, “Diktatori i Madh” i Charlie Chaplin, filmi i shkurtër “Romë krenarë” pasqyron pasurinë dhe diversitetin e kombit rom. Filmi sfidon narrativat historike mbizotëruese dhe stereotipat negativë për ta, ndërsa kujton kontributet e shumta kulturore dhe historike që romët kanë dhënë në Evropë gjatë shekujve. “Romë krenarë”, produksion i Institutit Evropian të Romëve për Art e Kulturë, është një manifestim bashkëkohor i romëve dhe një homazh për krenarinë dhe trashëgiminë kulturore rome.

Për gjatë gjashtë ditëve të Festivalit, do të shfaqen disa filma të cilët qëllim kryesor kanë hulumtimin e narrativa të pazbuluara të komunitetit. Ashtu siç edhe vetë Festivali synon të sfidojë stereotipat dhe të promovojë ndryshimet sociale.

Sami Mustafa, drejtor artistik i Festivalit, ka thënë se arti e kultura bashkojnë njerëz e popujt.

“Këtë vit kemi zgjedhur moton ‘Zërat e pazë’ që të shfaqim storie që janë të injoruara. Qëllimi është që të bëjmë njerëzit së bashku për të hapur horizonte të reja”, ka thënë ai. Pos filmave, edicioni i sivjetmë i “Rolling...” është i pasur edhe me koncerte, duke bërë që vizitorët e kësaj ngjarjeje të kenë mundësi ta shohin kulturën rome nga disa aspekte.

Barrie Lynne Freeman, zëvendësshefe e UNMIK-ut, në hapje të ngjarjes ka thënë se ky Festival është një mundësi unike për të reflektuar për rolin e komunitetit rom, ashkali e egjiptian në Kosovë.

“Arti është një mjet që i jep kuptim jetës. Na ndihmon ta kuptojmë vetën. Është krenari që të mund të mbështesim këtë iniciative. Historitë që shpalosen këtu na inspirojnë të gjithëve”, ka thënë ajo.

Si një ngjarje unike e tejet e rëndësishme, Festivalin e ka përshkruar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka thënë se krejt komunitet e pasurojnë kryeqytetin e gjithë Kosovën.

“Festivali që po nis sonte është dëshmi e fuqisë që kanë arti e kultura që të na bashkojnë dhe të tregojnë diversitetin e vendit tonë nëpërmjet filmit. Përkushtimi i festivalit që të adresojë çështjet brenda komunitetit rom është i domosdoshëm”, ka thënë ai.

Prej vitit 2009 Festivali mbahet çdo dy vjet duke shërbyer si një kanal për nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komunitetit rom dhe komuniteteve të tjera. Sipas organizatorëve, edicionet e Festivalit kanë treguar shprehjen artistike rome duke ofruar një mjedis ngazëllues, dinamik dhe transformues që synon të shpërndajë stereotipat dhe të promovojë marrëdhënie pozitive ndëretnike.

“Çdo vit, edicionet shfaqin një përzgjedhje të re të filmave me origjinë nga cepa të ndryshëm të globit, duke përfshirë kontributet ndërkombëtare dhe veprat e prodhuara në vend. Filmat janë kuruar me kujdes për të nxjerrë në pah diversitetin, pasurinë kulturore dhe historitë e romëve. Festivali përfshin një program të shumanshëm”, është përshkrimi që i është bërë ngjarjes nga organizatorët.

Sivjet për gjashtë ditë, filmat, koncertet bashkë me panelet e diskutimeve synojnë që të hapin horizonte të reja për kulturën rome, rritjen e bashkëpunimit midis komuniteteve bashkë me qëllimin që të nxitet krijimtaria kulturore./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing