Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Shtegtimi” i Baletit lë shenjë midis arbëreshëve, kthehet me dy çmime

Kulturë  |  17.07.2023 Ora 10:33   

Nëpërmjet vallëzimit, Baleti Kombëtar i Kosovës shpalos kapituj historie të migrimit. Dhe këtë e ka bërë midis arbëreshëve, në Villapiana të Kalabrisë, për të vazhduar edhe në Altomonte. Ka shkuar atje me premierën e “Shtegtimit” nën koreografi të Antonio Pio Finit. Dyshja Fatmir Smani e Aulona Nuhiu janë vlerësuar më të mirët.

Me shfaqjen “Shtegtimi”, Baleti Kombëtar i Kosovës ka përthekuar epokën e migrimit të popullit shqiptar. Pikërisht në vendin e arbëreshëve – regjionin e Kalabrisë – ka dhënë premierën e tretë të këtij viti me shfaqen nën koreografi të koreografit italian Antonio Pio Fini. Në shfaqje, “Shtegtimi” vjen në dy dimensione të migrimit që janë krejt kontrast në distancën kohore prej pesë shekujsh. Fillimisht me të është ndalur në të premten në qytetin Villapiana të Kalabrisë e të shtunën edhe në Altomonte të regjionit më jugor të banuar me arbëreshë. Aty ka marrë pjesë në edicionin e 13-të të festivalit “Fini Dance Festival”. Dy balerinët e BKK-së kanë marrë dy prej çmimeve kryesore: “Kërcimtari më i mirë” për Fatmir Smanin dhe “Kërcimtarja më e mirë” për Aulona Nuhiun.

Me fuqinë e artit, Baleti Kombëtar e mat në një mënyrë migrimin e popullit shqiptar. Me dy shfaqje ka shpalosur temën e konceptin e shfaqjes mes publikut italian, veçmas atij arbëresh. Jo rastësisht është zgjedhur lokacioni. Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë se kjo gjendje e shoqërisë ka qenë bërthama e shfaqjes.

 

“Një shfaqje me tematikë migrimin e njerëzve, largimin nga vendet e tyre shpeshherë të obliguar të largohen, por edhe për një jetë më të mirë, duke ia përshtatur vendit ku e kemi shfaqur, Kalabrisë. Një vend përplot arbëreshë të cilët kanë migruar tash e 500 vjet. Bërthama e shfaqjes ka qenë kjo. Në aspektin e ndërtimit të koreografisë ka qenë kryesisht e baletit bashkëkohor, përcjellë me muzikë kryesisht shqiptare, por edhe pjesë të muzikës serioze ndërkombëtare”, ka treguar Kajtazi të dielën, pak kohë pasi BKK-ja është në Kosovë.

Kajtazi ka treguar se Baleti e kishte pranuar ftesën për të marrë pjesë në Festivalin e Vallëzimit prej tetorit të kaluar, kur institucioni kishte shënuar gjysmëshekullin e themelimit. Nikoqirë të dy shfaqjeve kanë qenë amfiteatri “Ginestre” në Villapiana dhe teatri “Costantino Belluscio” në Altomonte. Prej qershorit kishin nisur provat me koreografin Fini, për të cilin BKK-ja nuk është e panjohur. Ani pse “Shtegtimi” ishte menduar të frymonte me fatin e historinë e arbëreshëve, tematika e saj bëhet universale.

“Njerëzit vazhdojnë të emigrojnë. Migrimi është diçka universale, njerëzit lëvizin vazhdimisht. Ne si shqiptarë e kemi pasur këtë pjesë më të dhimbshme, sepse në shumicën e rasteve jemi detyruar të migrojmë për shkaqe të ndryshme. Kjo e bën më të dhimbshme dhe më të ndjeshme këtë storie”, ka thënë Kajtazi derisa ka përmendur edhe përparësitë e të interpretuarit jashtë vendit, sidomos në një shtet me traditë në arte të tilla skenike.

“Balerinët e shijojnë në nivel performancën, sepse gjithçka është në parametrat e duhur, por njëkohësisht edhe përgjegjësia është e madhe, sepse publiku evropian ka shije të trashëguar për artin në përgjithësi, sikurse edhe për baletin, e njeh si fushë, shohin shfaqje baleti në vazhdimësi”, ka vlerësuar Kajtazi.

Festivali ka veçuar dyshen Fatmir Smani dhe Aulonë Nuhiu që kanë pasur rolet kryesore në “Shtegtim”.

Drejtori Kajtazi e ka vlerësuar si mirënjohje për punën e Trupës së BKK-së. “Baleti Kombëtar i Kosovës ndër vite është njohur për një vlerësim të jashtëzakonshëm. Përkundër kushteve në të cilat punon çdoherë ka shfaqur rezultate të jashtëzakonshme, ndaj sigurisht se njerëzit e kuptojnë dhe kurdo që kanë mundësinë e vlerësojnë nëpërmjet çmimeve”, ka thënë Kajtazi.

Balerina Aulonë Nuhiu ka thënë se ky rrugëtim ka qenë i veçantë për të edhe për shkak të çmimit. Ka thënë se shfaqja ngërthen elemente që e bëjnë atë tejet emocionuese.

“Është goxha emocionale. E veçanta e saj është edhe përfshirja e muzikës së vjetër shqipe arbëreshe e cila emocionoi edhe publikun arbëresh. Roli im në shfaqje është roli i një vajze që mundohet ta ndalojë të dashurin të shkojë në luftë dhe takimin me të përsëri pas një kohe. Ka qenë kënaqësi dhe përgjegjësi të kem rolin kryesor bashke me kolegun tim Fatmit Smani. Jam munduar ta shijoj maksimalisht, sidomos para një publiku të mrekullueshëm”, ka thënë Nuhiu.

Kolegu i saj Smani ka thënë se “ka qenë kënaqësi pjesëmarrja në këtë festival duke marrë parasysh shpërblimin si balerin dhe paraqitjen atje”.

Balerina Jeta Musolli ka thënë se “Shtegtimi” ka goditur jo vetëm me performancë

“Tema e shfaqjes – migrimi i shqiptarëve në Itali – ka qenë mjaft emocionuese ku përçoi emocione të forta si për balerinët, ashtu edhe për publikun. Bashkë me muzikën e shfaqjes, krejt këto elemente bënë që publiku ta pëlqente shfaqjen jashtëzakonisht shumë”, është shprehur Musolli.

Në teatrin “Costantino Belluscio” në Altomonte, BKK-ja nën udhëheqjen e drejtorit tashmë të ndjerë Ahmet Brahimaj ishte prezantuar në vitin 2013 me shfaqjen “Aty ku drita bie” të Finit dhe në kuadër të të njëjtit festival. Po aty kishte luajtur edhe “Dasmën” me koreografi të Mehmet Ballkanit. Institucioni shtetëror i baletit shfaqjen e fundit në Itali e ka pasur në vitin 2014 në Napoli, kur ishte dhënë premierë shfaqja “She-ra-zade” nën regji të koreografi të italianes Alessandra Panzavolta.

“Fini Dance Festival” vlerësohet si “vendtakim artistësh dhe të rinjsh që duan të përjetojnë njëqind për qind vallëzimin”. Një pjesë të aktivitetit e shtrin edhe në Shqipëri me “Tirana Dance Festival”.

Drejtuesi i tij, Antonio Fini, i cili jeton në SHBA, festivalin “Fini Dance Festival” në kuadër të të cilit organizohet edhe një edicion në New York Jork e kishte themeluar në vitin 2011.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, veçse ka paralajmëruar stacionin e radhës të institucionit. Ka bërë të ditur se në fund të muajit gusht do të udhëtojnë për në Austri, ku në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit do prezantohen me shfaqjen “Correr O’Fado” nën koreografi të portugezit Daniel Cardoso, e cila e pati premierën në fillim të qershorit. E para e BKK-së për sivjet qe “Time” nën koreografi të Taulant Shehut, e dhënë në muajin mars./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing