Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” thyen kufijtë e politikës

Kulturë  |  04.08.2023 Ora 10:42   

Është maksimë e njohur tashmë – se muzika thyen kufijtë – por “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” e dëshmon këtë dhe s’e ka ndër mend të ndalet, përkundër sfidave. Me njërën prej tyre u përball kur në kuadër të turneut erdhi edhe në Prishtinë. Dy anëtare nuk kanë mundur të futen në Kosovë. Instrumentistja nga Rusia e ajo nga Serbia kanë mbetur jashtë. “Shkaku pse ne jemi vetëm 63 anëtarë ka të bëjë me probleme të cilat në Ballkanin Perëndimor janë të përditshme...”, ka thënë dirigjenti Desar Sulejmani.

Me misionin për paqe midis vendeve të Ballkanit dhe për t’iu dhënë mundësi bashkëpunimi muzikantëve të rinj të këtyre vendeve, “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” ka nisur turneun koncertal. Pas Durrësit e Tetovës, Orkestra ka zbarkuar edhe në Prishtinë, me gjashtëdhjetë e tre instrumentistë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës e posaçërisht nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me bukurinë e tingujve të ndryshëm të instrumenteve të tyre, kanë sjellë ritmin e valles simfonike. Ndonëse me mungesë të dy anëtareve të ansamblit që nuk ishin lejuar të futeshin në Kosovë, Orkestra ia doli suksesshëm ta përthekonte koncertin.

Ka qenë vepra “Hungarian Dance” e kompozitorit të shquar gjerman, Johannes Brahms, ajo me të cilën e ka nisur koncertin kjo orkestër. Melodia plot ritëm e dramacitet e veprës ka bërë që publiku të futet menjëherë në vorbullën e tingujve që orkestra ka përhapur në Atelienë e Pallatit të Rinisë, të martën mbrëma.

Pas këtij interpretimi hyrës, ka qenë vetë dirigjenti Desar Sulejmani, njëherësh drejtori artistik i “Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” ai që i është drejtuar publikut. Ka folur për problemet dhe sfidat me të cilat është duke u përballur Orkestra gjatë këtij turi. “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” numëron gjithsej 65 anëtarë, të cilët vijnë nga 15 vende të ndryshme evropiane. Megjithatë, jo të gjithë kanë arritur të futen në Kosovë. Në Maqedoninë e Veriut, ku një ditë përpara kishin mbajtur koncert, kishin mbetur një instrumentist nga Rusia e një nga Serbia. E, gjëra të tilla nuk janë të panjohura për këtë orkestër.

pse ne jemi vetëm 63 anëtarë ka të bëjë me probleme të cilat në Ballkanin Perëndimor janë të përditshme, që do të thotë ose nuk kemi marrë vizë për t’u futur në territorin e Kosovës në rastin e muzikantes sonë nga Rusia, ose muzikantja me nënshtetësi të Serbisë që studion në Austri nuk lejohet të futet në orën 3 të mëngjesin në territorin e Kosovës për shkak që kartën e identitetit e kishte të skaduar, edhe pse me qëndrim të përhershëm për shkak të studimeve në Austri”, ka thënë ai.

Megjithatë, pavarësisht pengesave, “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” nuk e ka ndërmend të ndalet. Në ditët në vazhdim ata i presin edhe koncerte të tjera. Pas Prishtinës i pret Sarajeva e më pas edhe Kotori, Novi-Sadi e Berlini.

“Nesër do të vazhdojmë në Sarajevë dhe të papriturat e Ballkanit Perëndimor janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë jo vetëm artistike, por mbi të gjitha organizative dhe është për të ardhur keq për këtë grup kaq të motivuar, të talentuar, i cili ka qëndruar prej dy javësh së bashku. Kemi filluar punën tonë në Durrës më 16 korrik, e gjithmonë ndeshesh me të papriturat e realitetit këtu në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga mosmbështetja e institucioneve shtetërore. Sidoqoftë, personalisht dhe me grupin tim nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi dhe më vjen shumë mirë që sot jemi në Prishtinë, jemi këtu mes jush”, ka thënë Sulejmani.

Pas këtij fjalimi, dirigjenti Sulejmani ia lëshoi vendit homologut të tij nga Bosnjë-Hercegovina, Fuad Setiq. Nën direktivat e tij, orkestra solli “Dances of Galánta” të kompozitorit hungarez Zoltán Kodály. Vepra shquhet nga një melodi më e butë sesa ajo e para, por që karshi zhanrit të valles simfonike ka shpërthimet e saj. Koncerti vazhdoi me vepra të zgjedhura nga dirigjenti Desar Sulejmani. Ishin tinguj e “Waltz” nga “Masquerade Suite” të kompozitorit armenias, Aram Khachaturian, ata që i hapën rrugën një numri të tërë veprash të këtij artisti. Në mesin e veprave “Dance of the Rose Maidens”, “Noun’s Dance”, “Scene of Ayshe and Armen”, “Dance of Crassus”, ishte vepra “Sabre Dance” ajo që mori më së shumti vëmendje. Mjafton ngritja e dorës së dirigjentit që trupa të nisë lëvizjen e duarve. E ritmi i shpejtë dhe tingulli i cili sa vjen e rritet, bëjnë që instrumentistët të harxhojnë jo pak energji. Harkorët nisin lëvizjen e shpejtë të rrëshqitjes së harqeve nëpër tela. Janë lëvizjet e sinkronizuara të tyre që bëjnë të duket sikur janë duke vallëzuar mes vete. E për t’i dhënë edhe më shumë muzikalitet, në valle futen edhe instrumente të tjera, përfshirë flautet, obotë, fagotët e së fundi edhe trumbetat, që ia shtojnë edhe më intensitetin ritmit.

Pjesa e dytë e koncertit u takon dy veprave fituese të Garës së Kompozitorëve të Rinj të Ballkanit: “Folk Suite” e Driton Zymberit nga Kosova dhe “The sound of Ballkans” e Lazar Gjorgjeviqit nga Serbia. Teksa vepra e Gjorgjeviqit ka tinguj të një muzike moderne, ajo e Zymberit, siç bëhet e ditur edhe nga vetë titulli, reflekton ngjyra të muzikës folklorike shqipe.

Drejtori ekzekutiv i “Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor”, Lundrim Rexha, ka dhënë më shumë detaje për punën e këtyre të rinjve.

“Ky është projekt i financuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian. Fazën përgatitore e kemi mbajtur në Durrës, kur kemi qëndruar dy javë, nga data 16 deri më 29 korriku. Më 29 kemi mbajtur koncertin e parë të këtij turi, domethënë kemi nisur nga Durrësi. Gjatë fazës përgatitore janë bërë edhe përzgjedhje të garës së kompozitorëve të rinj në Ballkan, ku fitues kanë qenë Drinor Zymberi nga Kosova me ‘Folk suite’ dhe Lazar Gjorgjeviq me ‘The sound of Balkans’”, ka bërë të ditur ai.

Teksa ka folur për qëllimin e këtij turneu, Rexha ka thënë se koncertet e tilla dëshmojnë atë çka politika nuk mund ta bëjë.

“Ky turne koncertal ka për qëllim njohjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jep mundësi që instrumentistë të ndryshëm të këtyre vendeve të luajnë së bashku. Përmes muzikës së tyre ata do t’i tregojnë botës që Ballkani Perëndimor nuk është vetëm ashtu siç paraqitet në media, por ka të rinj shumë të talentuar dhe që muzika ia del t’i fshijë këta kufij kaq të ashpër të cilët i ndërton politika”, ka thënë ai.

I lumtur me këtë performancë ka qenë edhe vetë dirigjenti Sulejmani. Ka theksuar mesazhin që bart një koncert i tillë.

“Të performosh në Kosovë është diçka e bukur, diçka e veçantë. Unë sa herë që kam ardhur në Kosovë ka qenë diçka që e kam ndier shumë. Është kënaqësi që të jesh këtu sidomos kur sjell të tilla projekte, të veçanta, me fuqi rinore dhe me një mesazh paqeje jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më tutje”, ka thënë ai.

Të suksesshëm koncertin e ka konsideruar edhe Tijana Nikoliq nga Serbia, e ardhur për herë të parë në Kosovë. Ajo ka theksuar posaçërisht mikpritjen që i bëri publiku në Prishtinë.

“Mund të them se ndiem një atmosferë shumë të mirë këtu. Publiku ishte shumë i mirë. Ne pamë në fytyrat e tyre se ata ishin shumë të lumtur dhe kjo na bën të ndihemi edhe më të lumtur, sepse ne me të vërtetë i shijojmë shfaqjet, por publiku ka reaguar edhe më mirë sesa që e kemi pritur”, ka thënë ajo.

“Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” u themelua në vitin 2019 si një platformë për bashkëpunim midis muzikantëve të rinj të gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Është themeluar nga dirigjenti e pianisti shqiptar Desar Sulejmani, i cili karrierën e vazhdon në Gjermani. Ndonëse turneu i tyre i paraparë për vitin 2020 ishte ndërprerë për shkak të pandemisë, në tetor të vitit të kaluar ata kishin performuar në tri kryeqytete: Prishtinë, Tiranë dhe Shkup./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing