Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“DokuFest”: Dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për ta minuar misionin tonë

Kulturë  |  17.08.2023 Ora 9:03   
 

“DokuFest” ka reaguar duke bërë thirrje që të ndalet keqinformimi dhe akuzat e pabaza në raport me misionin e organizatës dhe edicionin e sivjetmë të ngjarjes. Ky reagim ka ardhur pesë ditë pas protestës kundër “DokuFestit” dhe në kohën kur akuzat ndaj festivalit po vazhdojnë. Të premten e javës së kaluar është mbajtur një protestë kundër Festivalit. Qe nxitur edhe nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren. Aty kishte edhe dhunë.

Prishtinë, 16 gusht – Festivali i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, ka reaguar duke bërë thirrje që të ndalet keqinformimi dhe akuzat e pabaza në raport me misionin e organizatës dhe edicionin e sivjetmë të ngjarjes. Ky reagim ka ardhur pesë ditë pas protestës kundër “DokuFestit” dhe në kohën kur akuzat ndaj festivalit po vazhdojnë.

Të premten e javës së kaluar është mbajtur një protestë kundër Festivalit. Qe nxitur edhe nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren. Aty kishte edhe dhunë.

“‘DokuFest’” qëndron i palëkundur si një platformë ku të drejtat e njeriut mbrohen dhe promovohen në mënyrë universale, pa dallim. Jemi thellësisht të shqetësuar nga përhapja e fundit e dezinformatave që sugjerojnë se koncerti i hapjes së ‘DokuNights’ ishte i qasshëm për të miturit, si dhe nga retorika nxitëse e urrejtjes që pasoi”, shkruhet në reagimin e “DokuFest”, e aty jepet edhe një konkluzion.

“Kjo na ka bërë të dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për të minuar misionin tonë për adresimin e të drejtave të njeriut dhe çështjeve sociale përmes artit dhe kulturës”, shkruhet në reagim.

Kanë sqaruar se dëshirojnë të vendosin gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, “Peaches”.

“Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësisht për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera. Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë”, shkruhet në reagim. Sipas “DokuFest”, është thellësisht shqetësues fakti që retorika nxitëse nga disa figura publike ka eskaluar në dhunë gjatë protestës. Aty qe sulmuar gazetari Vullnet Krasniqi. Për këtë ka të ndaluar nga Policia e po ashtu edhe policë që janë suspenduar përkohshëm, shkaku i mosveprimit.

“Kërkojmë nga autoritetet që të sigurojnë që autorët e këtyre akteve të urrejtjes të sillen para drejtësisë. Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për shumicën e qytetarëve të Prizrenit që nuk iu nënshtruan provokimeve të tilla. Mbështetja, mikpritja dhe bujaria e tyre kanë qenë gjithmonë një gur themel i suksesit të festivalit tonë”, shkruhet në reagim.

“DokuFest” ka bërë të qartë se është dhe do të jetë gjithmonë një fener për të drejtat e njeriut.

“Ne mbetemi të palëkundur dhe të sigurt në misionin tonë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë”, shkruhet në reagim.

Fiks një javë pas performancës, që është mbajtur në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest”, qendra e qytetit të Prizrenit është mbushur me protestues. Pas hapjes së Festivalit dhe pas orës 00:00 në Marash ka interpretuar “Peaches”. Por jo rrallë reagimet në rrjete sociale e edhe në medie kanë intrepretiuar situatën sikurse “me atë performancë është hapur edicioni i 22-të i festivalit”. Por në realitet ceremonia hapëse ka qenë me krejt tjetër përmbajtje, tjetër lokacion dhe me tjetër orar. Madje, si gjithmonë është transmetuar edhe drejtpërdrejt në KTV.

Më pas reagimeve u janë bashkuar klerikët. Për Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren, “DokuFest” është antivlerë. Ky institucion religjioz ka bërë thirrje për protestë.

“Ftesë kundër ‘DokuFest’. Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore! Të premten, në orën 14:00, në sheshin ‘Shatërvan’, takohemi së bashku për ta ngritur zërin tonë kundër ‘DokuFestit’, pro familjes. Hajde edhe ti, t'i përgjigjemi pozitivisht ftesës së organizatorëve”, kishte shkruar në Fascebook, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha.

Protesta ishte thirrur për në orën 14:00 menjëherë pas ceremonisë së lutjeve që besimtaret myslimanë bëjnë ditën e premte. E në Xhaminë e Sinan Pashës – xhamia qendrore e Prizrenit – imami Orhan Bislimaj në ligjëratën e tij midis lutjeve kishte numëruar arsyet se përse duhet luftuar e keqja, duke aluduar në “DokuFest”.

“Sivjet ishte kulminacioni i shfaqjes degjeneruese që ndodhi jo larg Xhamisë së Sinan Pashës e jo larg këtyre 40 minareve të qytetit të Prizrenit. Nuk mjafton që kundër këtyre veseve degjeneruese të ngrihen vetëm imamët”, kishte thënë ai. Kishte bërë thirrje që të ngrihet zëri kundër një të keqeje.

“Ta luftojmë të keqen, ta luftojmë degjenerimin...”, kishte thënë ai. Pavarësisht që është imam dhe paraprakisht kishte thënë se degjenerimi po ndodh jo larg 40 minareve, sipas tij, protesta nuk ka ngjyra fetare.

E më pas nga ballkoni i Xhamisë së Sinan Pashës ishte bërë thirrje për protestë paqësore. Nga ajo hapësirë edhe qe lexuar deklarata e protestës.

“Festivali viteve të fundit kulmoi me performanca publike perverse e erotike. Si qytetar të Prizrenit, ne deklarojmë se performanca e shfaqur nuk përkon kurrsesi me traditën dhe kulturës sonë. Këto të bëma nuk janë pasqyrë e asnjë qyteti në Kosovë, e aq më pak e kryeqytetit të shqiptarisë, Prizrenit”, kishte lexuar një prej organizatorëve.

Provokimet e “Peaches” janë tejkaluar në shumë vende ku ka interpretuar ajo, duke shfaqur kauzat për të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara. Por në Prizren performanca e saj ka bërë që një numër jo i vogël i qytetarëve të ngrihen kundër “DokuFestit”. E në këtë rast i bie që të ngrihen kundër vetë qytetit, pasi ky festival ka çuar emrin e Prizrenit në krejt globin./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing