Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Shën Tereza me shtatore në kishën njëmijëvjeçare në Bruksel

Kulturë  |  11.09.2023 Ora 9:20   
 
Evropës i është shtuar edhe një shtatore e Shën Terezës. Në kuadër të përvjetorit të shenjtërimit të nobelistes shqiptare, një prej tempujve të vjetër fetarë në Evropë është bërë me shtatore të saj.

Të shtunën mbrëma në kishën “Notre Dame de Laeken” në Bruksel, gjatë ceremonisë së titulluar “Festa e Shën Terezës” është përuruar shtatorja e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut. Gjatë kësaj ceremonie, në tempullin me stil gotik që daton qysh prej vitit 1020, është mbajtur edhe një meshë për Shën Terezën. Pos komunitetit shqiptar, aty qenë të pranishëm edhe përfaqësues diplomatikë.

“Paqja dhe dashuria mes njerëzve, në një botë plot mirësi, me Nënën Terezë si simbolin e saj, u festua në Meshën e Shenjtë, në Kishën Notre Dame de Laeken, në Bruksel. Inaugurimi i statujës së shenjtores shqiptare dhe laureates së Çmimit Nobel për Paqe vetëm sa e theksoi mesazhin e paqes që Nëna Terezë barti në jetë dhe amshim”, ka shkruar në Facebook ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

Aktivitete për nder të Shën Terezës janë duke u mbajtur gjithandej. Javën e kaluar në Tiranë janë ekspozuar dorëshkrime të humanistes shqiptare, fotografi të rralla e dokumente të vizitës së saj të parë në Shqipëri. Ekspozita e hapur në ndërtesën e Presidencës së Shqipërisë ka shënuar shtatëvjetorin e shenjtërimit të Shën Terezës. Ekspozita përmban materiale arkivore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kishte thënë se ekspozita shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

“Sot ne mblidhemi këtu për të nderuar shpirtin e jashtëzakonshëm të një shenjtoreje që e jetoi jetën me dhembshurinë, dashurinë dhe në shërbim ndaj njeriut të pamundur, shenjtores shqiptare, Nënë Terezës”, kishte thënë presidenti Begaj. Sipas tij, ekspozita paraqet udhëtimin e jashtëzakonshëm të Shën Terezës, si dhe iniciativat e reja për të promovuar madhështinë e figurës së saj.

“Le të marrim një moment për të reflektuar mbi ndikimin thelbësor që ajo pati në botë”, kishte thënë Begaj. I pari i Republikës së Shqipërisë ka thënë se jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë, përderisa përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën.

Shën Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë. Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit, e ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. Kurse më 5 shtator të atij viti ishte mbajtur ceremonia e shenjtërimit. Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe.

Ajo ishte kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla dhe ishte kujdesur për 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri. Qe humaniste që trajtoi 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, përderisa kujdesej edhe për 3 mijë e 400 pleq të braktisur. Pos kësaj, kishte nën kujdestari 160 fëmijë bonjakë.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing