Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Quo Vadis...” në Kosovë për rigjetjen e rrugës së muzikës klasike

Kulturë  |  18.09.2023 Ora 9:45   
Krejt në fillim thotë se punon vetëm me njerëz të këndshëm. E pas pak shton se ata që janë përballë tij e plotësojnë këtë kusht. Robin Tyson i dëgjon me kujdes interpretimet e korit “Siparantum” në Kishën Katolike të Pejës. Bën disa hapa midis ulëseve të tempullit fetar.

“Jeni më të vërtetë të mirë”, u thotë bindshëm. E natyrshme – për një kor të formuar në baza vullnetare anëtarët e të cilit punojnë fort për të arritur suksese – kur ky koment që vjen nga një profesionist i dëshmuar gjithandej globit, është gjë e madhe. Kjo vërehet jo veç te koristët, por edhe te prijësi i tyre, dirigjenti Memli Kelmendi. Ngadalë Tyson, që është emër botëror si kontratenor dhe jo vetëm, nis të jep këshilla dhe nxit që disa pjesë të veprave të interpretohen me finesa të tjera. Është prej atyre punëtorive që në kushte normale kushtojnë fort për t’i mbajtur.

Kontratenori Robin Tyson (djathtas) në punëtorinë me korin “Siparantum” në Kishën Katolike në Pejë gjatë ditëve të “Quo Vadis Choral Music Conference”, një ditë para koncertit të këtij kori.

Por gjithçka zhvillohet në kuadër të “Quo Vadis Choral Music Conference”, që sivjet prej të enjtes deri të dielën është mbajtur në Pejë. Edicioni paraprak ishte në Berlin, ku edhe vepron Akademia Ndërkombëtare e Arteve Korale, “CHORALSPACE” në kuadër të të cilit është themeluar Konferenca. Sebep që sivjet Konferenca Ndërkombëtare të mbahet në Pejë qe pikërisht kori “Siparantum”. Vitin që vjen do të jetë në Barcelonë.

Aktivitetet katërditore e kanë bërë Pejën qendër të muzikës korale. Thjesht, disa prej emrave më me nam në këtë fushë kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e Konferencës në qytetin më perëndimor të Kosovës. Por kjo nuk ka afektuar fare autoritetet lokale. As për të marrë pjesë në hapje apo në ndonjë aktivitet tjetër, dy prej të cilave edhe kanë treguar potencialin koral të Kosovës. Është më shumë tregues për vetë komunën ku dy prej produkteve më të njohura artistike, “Anibar” dhe “Siparantum” janë iniciativa private. Realisht muzika klasike nuk është se tingëllon fort në veshët e pushtetarëve as nëpër vende të tjera. E ngjarje si kjo konferencë bëjnë bujë ngado. Do të duhej të bënte sidomos në Kosovë.

Emrat si anglezi Robin Tyson rrallë kalojnë nëpër këto anë. Edukimi i tij në “King’s College” e karriera e tij operistike gjithandej globit bashkë me përvojat me dirigjentë si John Eliot Gardiner, Paul McCreesh, Robert King, Joshua Rifkin e James Judd e bëjnë atë prej emrave të padiskutueshëm. Njëjtë qëndron edhe tash si menaxher në kompani muzikore.

Maestroja në vendin e entuziazmit për muzikën

Tyson ka një qasje prej pedagogu në raport me “Siparantumin” kur mban punëtorinë. Duket sikur të jetë në moshë të koristëve. Fillimisht i lavdëron e më pas jep sugjerimet se si duhet të luhet kjo apo ajo pjesë. Thotë se gjithnjë duhet vepruar kësisoj, sidomos me ansamble që janë të formuara në baza vullnetare. Konferencën e përshkruan si diçka që për Kosovën është tejet e veçantë.

Kori i Filharmonisë së Kosovës në koncertin e së shtunës mbrëma në Kishën Katolike në Pejë (Foto: Arben Llapashtica)
“Ne që jemi pjesë e kësaj fushe e dimë që Kosova ka Filharmoninë, por dimë shumë pak për këtë vend. Jam mjaft në moshë dhe nuk kam qenë këtu shkaku i luftës e rreziqeve që bart ajo. Është gjë e madhe që Konferenca po ndodh këtu. Tash po shoh shumë njerëz këtu nga vende të ndryshme. Do të ishte e mrekullueshme që të kthehem prapë këtu”, thotë ai pasi ka mbajtur punëtorinë dhe pi një birrë buzë lumit që ndan Pejën në dysh. Në anën tjetër të rrjedhës që gjatë verës është më e cekët, në një lokal jehon muzika. Aso muzike që krejt zhanret i prek nga pak, veç klasiken jo. Tyson shpesh qesh me këtë. Nganjëherë si me ironi edhe imiton këngëtaren.

Por nga ajo që ka parë gjatë ditëve të Konferencës është i bindur se në shtetin më të ri të Evropës ka një dashuri për këndimin.
“Ka entuziazëm. E di që ka shumë sfida, por kështu ndodh kur njerëzit duan të zhvillohen. Ndoshta edhe një festival këtu do t’i bënte njerëzit të vijnë më shumë”, thotë ai derisa flet për mundësinë që të huajt ta vizitojnë Kosovën. E ka fjalën për profesionistë të muzikës klasike.

“Të këndosh do të thotë të kujdesesh për shëndetin”

Gjatë konferencës të tillët ishin të shumtë. Themeluesi i “Meuer Kammerchor Berlin”, Adrian Emans, drejtori artistik i “MDR Leipzig Radio Children’s Choir”, Alexander Schmitt, Ambroz Copi, drejtor artistik i “KGBL Chamber Choir”, Hans Hermann Rehberg, ish-drejtor menaxhues i “Rundfunkchor Berlin” e Ian Clethero, botues i “Chorally” ishin midis pjesëmarrësve. Po ashtu, aty qenë edhe Jeroen Keymeulen, drejtor në “Koor&Stem”, Jozhi Vovk, menaxhere në Shoqatën e Koreve të Evropës, Michelle James, drejtoreshë ekzekutive në “Sing Up”, Nathalie Goldberg, themeluese dhe drejtoreshë artistike në “Nona Vocal Arts Center” e shumë të tjerë. Midis temave të shumta për botën korale, nëpërmjet prezantimeve janë treguar modalitete e përvojat prej themelimit të koreve e deri te zhvillimi i tyre.

Dirigjenti Jeroen Keymeulen ka treguar përvojën e koreve flamane. Ai ka treguar se krejt në fillim duhet bërë njerëzit të këndojnë. Sipas tij, synim duhet të jenë shkollat fillore.

“Të këndosh në fund të fundit do të thotë të kujdesesh për shëndetin”, ka thënë ai. Entuziazmin, inspirimin e mbështetjen i ka përshkruar si tri çështjet bazë për sukses.

Kolegu i tij nga Singapori, Darius Lim, ka ofruar një pasqyrë të dhjetëra koreve që funksionojnë në Singapor.

DAM-i dhe “Siparantumi” si shembuj suksesi

Sa i përket Kosovës një shembull të rrjetëzimit e ka ofruar drejtuesi i festivalit ndërkombëtar të muzikës DAM dhe menaxher i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj. Ai ka shpalosur se si DAM-i është themeluar më 2006 si iniciativë nga studentët që nuk kishin hapësira për të shprehur kreativitet dhe në vitin e parë qe veç festival vendor, kurse më pas u shndërrua në ndërkombëtar.

“Më 2019 kemi themeluar edhe Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Edhe kjo garë është po ashtu nga mungesa e hapësirës për kompozitorë”, ka thënë ai. Ka përmendur se si rrjetëzim Gara bashkëpunon me orkestrën “Oerknal” nga Holanda.
Rrëfimin e tij para të pranishmëve sa i përket themelimit të korit “Siparantum” dhe zhvillimit të tij e ka paraqitur edhe dirigjenti Memli Kelmendi. Ai ka treguar për hapat e vështirë nismëtarë, por edhe për sfidat e tashme.

Kurse sa i përket Konferencës, ka thënë se pjesëmarrja e figurave të muzikës klasike në këtë ngjarje ka ofruar mundësi të veçanta për të njohur më mirë skenën vendore dhe për të krijuar lidhje të reja me artistë, dirigjentë e kompozitorë të muzikës korale.

“Kjo mund të çojë në bashkëpunime të reja artistike dhe të hapë rrugën për shkëmbim të dijeve dhe përvojave në mes të profesionistëve të muzikës korale nga skena ndërkombëtare dhe ajo lokale”, ka thënë Kelmendi. Sipas tij, pjesëmarrja e personaliteteve të njohura ka sjellë një përzierje të pasur dhe frymëzuese të talentit vendës dhe të përvojës ndërkombëtare në muzikën korale. Kelmendi ka dirigjuar dy koncerte gjatë Konferencës: atë me Korin e Filharmonisë së Kosovës të enjten dhe atë të “Siparantumit” të shtunën mbrëma. I fundit është titulluar “700 vjet të muzikës shqiptare”. Në ambientet e Kishës Katolike në Pejë ka nisur me muzikë tradicionale për të vazhduar me vepra të Jan Kukuzelit, Lorenc Antonit e deri te ato moderne si “Pax” e Memli Kelmendit. Repertori ndërkombëtar, po ashtu, nuk ka munguar. Që të dyja koret janë vlerësuar goxha nga të pranishmit, por krahas kësaj edhe janë dhënë kritika për përmirësime.

Hapat për gjeneratë të re

Çështje më vete mbetet se si të përgatiten gjeneratat e reja për muzikë klasike në një botë krejt moderne.
Robin Tyson thotë se çelës për sukses pa dyshim që është përkushtimi i madh. Tregon se si i ri kishte arritur deri në fitnes për të mirëmbajtur organizmin dhe zërin.

“Kam punuar shumë si i ri. Trupi im ishte instrumenti im. Sigurisht që duhet të keni pak fat, por duhet të punoni shumë. Duhet të jeni të hapur për kritikat që ju bëhen. Ato ju ndihmojnë shumë. Si interpretues duhet që t’i merrni shumë seriozisht kritikat”, thotë ai. Sa i përket modernitetit që ka kapluar botën, në perspektivën e Tyson, në fillet e veta një interpretues i muzikës klasike ndoshta duhet të bëjë edhe ndonjë punë tjetër për t’ia dalë.

Kurse sa u përket audiencave gjithnjë e më të pakta në muzikë klasike thotë se në kushte ideale orkestrat që kanë buxhet duhet të japin edhe koncerte falas nëpër shkolla. Në këtë rast ka rrëfyes një histori personale se si mund të joshet dikush për muzikë klasike.

“Kam qenë njëherë në Londër për t’u intervistuar në një radio të të burgosurve. Ai që më intervistonte thoshte që muzika klasike është e vdekur. E kam pyetur nëse ka tentuar ndonjëherë që të dëgjojë muzikë klasike dhe më tha ‘jo’. I thashë se është... ta zëmë muzikë filmash. Dhe atëherë nisi të kuptojë pak se çfarë është muzika klasike. Pra, duhet gjetur rrugë që muzika klasike të depërtojë”, thotë ai. Në këtë rast si menaxher në kompani prestigjioze ka treguar se ka kaluar koha kur nëpërmjet albumeve krijuesit kanë arkëtuar para.

“Tash inteligjenca artificiale është duke afektuar shumë profesione. E dua muzikën prej shekullit XV e deri tash. Por muzika nuk është diçka që mund muzealizohet. Nuk është një kishë mesjetare të cilën mund ta prekësh. Muzika duhet të luhet. Si do ta mbajmë gjallë muzikën klasike është pyetje e vështirë. Por duhet ta mbajmë”, thotë ai me bindje. Nëse jo me nivel, me entuziazëm e bindje të tillë kanë luajtur para publikut edhe dy koret reprezentative të Kosovës, ai i Filharmonisë dhe “Siparantum”. Përderisa i pari në fund të tetorit do të jetë në Itali, i dyti do të jetë në Lojërat Evropiane të Koreve. Do të çojnë atje pak nga tradita vendore e po ashtu edhe shkathtësitë e talenteve të këtyre anëve. Në njëfarë forme edhe do të arsyetojnë mbajtjen e “Quo Vadis Choral Music Conference” në Kosovë.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing