Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Katër mijë persona kanë marrë vaksinën kundër gripit sezonal në Prishtinë

Vendi  |  19.10.2023 Ora 8:01   

Profesionistët shëndetësorë kanë bërë thirrje që grupet e rrezikuara të imunizohen për t’i parandaluar gripozat. Ministria e Shëndetësisë thotë se ka siguruar 85 mijë doza të vaksinave për të gjitha komunat. Ky proces ka nisur qe afro dy javë dhe gjatë kësaj kohe në Prishtinë janë vaksinuar 4 mijë persona.

Hilmi Rrahmani, 72-vjeçar, të mërkurën ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të marrë vaksinën kundër gripit. Ai ka treguar se imunizimi për parandalimin e gripit tashmë i është bërë praktikë e përvitshme.

“Ka afër dhjetë vite që e marr rregullisht vaksinën për këto gripat, dhe shumë është e shëndetshme, sidomos për të moshuarit. Ka dhjetë herë, nuk kemi probleme edhe këtu kur vijmë prej mjekëve, motrave, janë shumë të sjellshëm ndaj nesh, kështu që mirë është me e marrë vaksinën të gjithë ata që kanë nevojë”, ka thënë Rrahmani.

Interesim nga grupet me prioritet për t’u vaksinuar pati edhe në javën e dytë prej kur ka filluar vaksinimi kundër gripit. Belqyzare Morina tregon se e merr vaksinën për çdo vit.

“Me shëndet kam probleme, p.sh. tensionin, reumën, por vaksinat më ndihmojnë shumë dhe ndihem mirë. Edhe s’ka kurrfarë problemi. Burri e kish marrë, më tha a po vjen me e marr me mu. Jo, jo, i thashë, unë vetë shkoj se nuk jam fëmijë. Erdha me e marrë, mirë, ma dha doktoresha, në rregull, nuk ka kurrgjë probleme”, ka thënë Morina.

E specialisti i mjekësisë familjare, Naim Sveçla, ka bërë të ditur se kanë në dispozicion doza të mjaftueshme dhe se deri më sot janë administruar 4 mijë doza.

“Metoda më e mirë për parandalimin e gripit është vaksina e gripit. Mirë është moshat mbi 65-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. Prioritet të sëmurit kronikë, me tension, diabet, sëmundje të mushkërive, sëmundje të sistemit, të enëve të gjakut, edhe ata kanë prioritet. Punëtorët shëndetësorë, policia, si dhe fëmijët mbi gjashtë muaj, varësisht prej statusit që e ka imunitetin… Vaksina është katër komponentësh, për llojin e gripave më të rrezikuar që rrezikon jetën ose shtrirjen në spital”, ka thënë Sveçla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se ka nisur vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal në të gjitha komunat e Kosovës dhe se janë siguruar 85 mijë e 500 doza të vaksinave, prej të cilave 500 pediatrike.

“Me qëllim të forcimit të imunitetit ndaj virozave të cilat përhapen kryesisht gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen. Vaksinimi është i rëndësishëm veçanërisht për personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehona", kanë thënë në MSh.

Thirrje për vaksinim ditë më parë ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës.

“Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë dhe më efektive për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve serioze infektive. Po ashtu, pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të zbutur dhe ndaluar epidemitë dhe pandemitë e ndryshme”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Mjekët në QKMF thonë se këtë vit vaksinimi ka nisur me kohë, përderisa viteve të kaluara ka pasur vonesa në nisje të këtij procesi. Në 2022 vaksinimi kishte nisur në fund të muajit tetor e në 2020 vaksinat ishin shpërndarë në dhjetor./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing