Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Prishtina e Podujeva mund të mbesin pa 700 mijë euro dhe pa tabela digjitale për shkolla

Vendi  |  23.10.2023 Ora 8:07   

Shkumësi dhe tabela e zezë vazhdojnë të mbeten elementet kryesore të një dhome mësimore edhe në kohën e shpërthimit të teknologjisë.

Për institucionet arsimore në Prishtinë është premtuar gjatë vitit të kaluar nga qeverisja lokale se ato do të pajisjen me tabela digjitale. Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Sipas të dhënave publike të Prokurimit Publik, Komuna e Prishtinës ka hapur tender në prill prej 400 mijë eurosh për blerjen e tabelave digjitale. Por ky proces është zvarritur nga procedurat e prokurimit. Për ankesat e operatorëve ekonomikë të bëra në qershor, tek në fund të shtatorit Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim për rivlerësim të procesit.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, ka treguar se të njëjtin proces e kanë hapur edhe gjatë prillit të vitit të kaluar, por që edhe ai ka dështuar për shkak të vonesave në trajtimin e lëndëve në OSHP.

E kjo zvarritje, sipas Musmuratit, mund t’i kushtojnë Komunës që t’i humbasë mjetet financiare, meqë parat do të kthehen në buxhet të shtetit.

“Deri më 12 dhjetor kemi afat kur mbyllet sistemi i Ministrisë për Financa, kështu që jemi shumë keq me kohën, po rrezikojmë një projekt për shkak të vonesave”, ka thënë ajo. “Pajisja me tabela digjitale nuk është më një çështje luksi me të vërtet, është çështje nevoje dhe mendoj se ky prioritet dhe ky buxhet kaq i madh që kemi ndarë është buxhet domethënës për Drejtorinë e Arsimit, pasi ne nuk e kemi buxhetin shumë të madh”, ka thënë Musmurati.

Në dosjen e tenderit janë kërkuar 175 “Smart board” së paku me diametër 75 inch (190.5 cm). Pajisja e shkollave me tabela digjitale është parë e domosdoshme nga mësimdhënësit për t’i shndërruar klasat klasike në ato moderne. E kjo, sipas tyre, do t’u shërbente më së shumti nxënësve.

Ermal Jahaj, mësimdhënës në shkollën fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë, ka thënë se hapësirat e tanishme klasore për nxënësit nuk janë atraktive.

“Më atraktive kish qenë, edhe mësimi do të mbahej më lehtë dhe kish qenë diçka e re për nxënësit, pasi nxënësit të gjithë janë të njoftuar me teknologjinë. Ata në shtëpi janë të rrethuar me pajisje teknologjike e kur vijnë në shkollë ballafaqohen me pluhurin e shkumësit”, ka thënë ai.

Në të njëjtën situatë janë edhe shkollat në komunën veri-lindore të Kosovës. Komuna e Podujevës ka hapur tender prej 300 mijë euro në fillim të këtij viti për blerjen e 160 tabelave digjitale. Tenderi është në proces të shqyrtimit të një ankese të një prej operatorëve ekonomik e deponuar në OSHP më 10 tetor. Shqyrtimi është ende në fazën e parë. E ankesa e parafundit për këtë tender, e cila është dërguar në OSHP në muajin qershor, ka përfunduar në fund të gushtit, me vendim për rivlerësim të procesit.

Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Podujevë, po ashtu, ka thënë se këto mjete komuna rrezikon t’i humbasë.

“Përndryshe ne si komunë e Podujevës këto mjete i kemi nga investimet kapitale që nënkupton se nëse nuk realizohet ky proces do të na rrezikohen këto mjete për t’u bartur në buxhet të shtetit dhe për të mos pasur mundësi për t’i shfrytëzuar ne këto mjete”, ka thënë Fetahu.

Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk i është përgjigjur interesimit të KOHËS për të kuptuar arsyen e zvarritjes së trajtimit të ankesave.

Digjitalizimi i institucioneve arsimore është në pesë objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit për ngritjen e cilësisë në procesin mësimor. Për këtë synim janë ndarë 52 milionë euro, nga rreth 323 milionë sa parashihet të jetë kostoja e përgjithshme e Strategjisë. Ministria ka premtuar që secila klasë në institucionet e arsimit parauniversitar do të pajiset me së paku një laptop e projektor brenda 5 vjetësh.

Afro 15 për qind e institucioneve publike të arsimit parauniversitar nuk janë të lidhura me internet, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. (MASHTI). Në të dhënat e Ministrisë të publikuara në fund të vitit të shkuar në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, është thënë se numri i kompjuterëve në shkollat publike është 9,138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.

Krijimi i një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar për fushën e arsimit është një ndër pesë pikat kryesore të Strategjisë. Deri më tani kjo platformë ende nuk është zbatuar në institucionet arsimore.

Përgatitja e materialeve mësimore digjitale për të gjitha nivelet, furnizimi i institucioneve arsimore me rrjet të internetit cilësor dhe me pajisje teknologjike, kultivimi i kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira në fushën e arsimit dhe krijimi i mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit, janë pikat e tjera kryesore të përfshira në Strategjinë e Ministrisë./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing