
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Vetëm për rreth 25 deri në 30 euro pritet t’u ngrihen pagat policëve, ushtarëve, mësimdhënësve e shumë zyrtarëve të sektorit publik gjatë vitit të ardhshëm.
Me Projektligjin për Buxhetin e vitit 2024, Qeveria e Kosovës ka paraparë 805 milionë euro për paga në sektorin publik. Me rritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 110, përfituesit më të mëdhenj do të jenë pushtetarët. Punëtorët e sektorit publik kanë paralajmëruar masa sindikale nëse pagat nuk u rriten më shumë.
Pushtetarët pritet të jenë ndër përfituesit më të mëdhenj të buxhetit prej 805 milionë eurove të paraparë për paga në sektorin publik gjatë 2024-ës. Kjo pasi policëve, ushtarëve, zjarrfikësve, mjekëve e mësimdhënësve, pagat do t’u ngrihen vetëm për 25 deri në 30 euro.
Me koeficientin prej 110 euro eurove për vitin 2024, paga e presidentes do të rritet për 90 euro, paga e kryeministrit për 85, paga e deputetit dhe ministrit për 82 euro, paga e ushtarit të FSK-së për 28 euro, paga e policit dhe zjarrfikësve për 25 euro, paga e infermierit për 25 deri në 30 euro dhe paga e mësimdhënësit të shkollës fillore dhe të mesme prej 25 deri në 33 euro.
Koeficientin prej 110 eurove e kanë kundërshtuar punëtorët e sektorit publik, të cilët thonë se ndihen të diskriminuar.
Nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar për RTK-në se hartimi i buxhetit për vitin e ardhshëm është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se e reflekton programin e tyre qeverisës.
Mirëpo, shqyrtimin e vlerës së koeficientit e kanë kërkuar partitë opozitare.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se ngritja e koeficientit do të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë.
Punëtorët e sektorit publik kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk rritet vlera e koeficientit të pagave./rtk/