Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Rezultatet e dobëta në PISA, njohësi i arsimit: Dëshmi për iluzionin që jetohet brenda sistemit arsimor

Vendi  |  06.12.2023 Ora 8:49   

Të martën janë publikuar rezultatet e testit PISA 2022, ndërkaq Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit, duke zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse.

Në këto rezultate ka rënie të Kosovës nga viti 2018 për 11 pikë.

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.

Njohësi i fushës së arsimit, Rinor Qehaja në një deklaratë me shkrim për Telegrafin thekson se testi PISA është dëshmi valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat tona.

“Vlerësimet e fryra të nxënësve nga vlerësimi i brendshëm në shkollë dhe ato rezultate të larta të kalueshmërisë në Testin e Arritshmerisë dhe në Testin e Maturës edhe njëherë gjeten përgjigjen dhe dëshmuan për iluzionin që jetohet brenda sistemit arsimor – atë të përkushtimit për notë dhe jo dije.

Nuk mund të ketë rezultat të mirë në testin PISA kur mësimdhënia ka në qendër të mësuarit mekanik.

Përtej çfarëdo reforme tjetër, çfarëdo dokumenti tjetër strategjik, vëmendja duhet te kthehet ne klase, pra, cila është cilësia e mësimdhënies ne klase. Përmirësimi ne testin PISA nuk duhet te jetë qëllim në vete, por përgjegjësi e jona karshi nxënësve”, tha ai.

Por, për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, rezultatet kanë qenë të pritshme.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve”.

“Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

E pas rezultateve të dobëta në testin PISA ka reaguar Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“Në vitin 2018 morën pjesë 74 vende dhe Kosova renditej e 72-ta ku 66% e nxënësve shënonin performancë të dobët, ndërkaq në vitin 2022 morën pjesë 80 vende dhe Kosova renditet e 79-ta pra e parafundit, ku 72.9% të nxënësve shënuan performancë të dobët”, thuhet në komunikatën për media.

Nga kjo organizatë më tej kanë thënë se analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, pra numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022.

“Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”.

ORCA ka shtuar se shpreson që “këto rezultate ta këndellin kryeministrin e Republikës dhe Qeverinë e tij, ndonëse nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë pas parasysh orientimin e Qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë”.

Reagime për rezultatet e dobëta në PISA kanë ardhur edhe nga partitë opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë Kurti për rezultatet e fundit në testin PISA.

Krasniqi në një postim në Facebook, ka shkruar se u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë.

“Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka shtuar se qëllimi i kësaj qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma në arsim.

“Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq, Jehona Lushaku nga LDK thekson se të dhënat e testit PISA po rangojnë Kosovën në vitin 2023 më poshtë se kurdoherë.

“Ky është rezultati i saktë i një qeverie, që arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës.

A ju kujtohet kur thonin që do të ndërtojmë çerdhe dhe sot se kompletuan asnjë? Aty është zanafilla e të kuptuarit dhe leximit. Shumica fëmijëve të Kosovës ende nuk janë të përfshirë në sistemin parashkollor.

A ju kujtohet kur 1050 shkolla me mbi 320 mije fëmijë humbën qindra mijëra orë mësimore për katër javë në fillim vitin 2022? Kryeministri nuk pranonte as që të fliste me arsimtarët grevistë. Performanca e arsimtarëve është garant i cilësisë në klasë e bazohet në motivimin që i siguron sistemi qeverisës.

A ju kujtohet kur filloi viti shkollor 2023, e fëmijët shkuan pa tekste shkollore për javë të tëra? Qindra mijëra orë mësimore humbën pa pasur tekste dhe përmbajtje.

Nuk ka si të ketë rezultate, nëse veç këto tri elemente merren për bazë. Kjo qeveri, arsimin e ka karrem kontrolli!”, shkruan Lushaku në Facebook. /Telegrafi/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing