
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Familjet në nevojë do të përfitojnë 120 euro nga shteti, si ndihmë e menjëhershme për subvencionimin e lëndëve djegëse për ngrohje. Kjo është bërë e mundur nga masa 1.2 e lansuar nga Ministria e Financave.
Sezoni i dimrit tashmë ka filluar, e ndihma për familjet në nevojë për t’i përballuar temperaturat e ulëta është e domosdoshme.
Pikërisht për këtë, Ministria e Financave ka prezantuar masën 1.2 në vlerë prej 5 milionë eurosh, e cila mundëson blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale.
" Në qendër ka grupe te cenueshme te shoqërisë ata që kanë më së shumti nevojë për dorën e shtetit. Në mbledhjen e 174-të të Qeverisë ndamë 5 milionë euro, e me këtë shumë do të mundësohet subvencionimi i blerjes së lëndës djegëse për familjet me asistencë sociale, me qëllim kalimin sa më të lehtë të dimrit për këto familje”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se rreth 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë do të përfitojnë nga subvencionimi për blerjen e lëndës djegëse.
“Përllogaritja bëhet në formën që për secilën familje përfitimi është 120 euro që është ekuivalent me 2 metër kub dru me çmimin e tregut. Ndërkaq për çdo anëtar të familjes, duke përfshirë edhe kryefamiljen, është edhe 30 euro shtesë”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se Kosova do të jetë përfituese edhe me projekte të radhës.
“Kosova dhe rajoni do të përfitojnë më tutje nga korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor, kryesisht në ndërlidhjen e transportit, energjisë dhe sektorit digjital. Ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në sektorin e energjisë dhe në reformat e zbatimit të investimeve, për të siguruar të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët dhe për ta ofruar Kosovën drejt BE-së”, tha Johannes Madsen Stenbaek, nga Zyra e BE-së në Kosovë
Kjo masë është e mbështetur nga Komisioni Evropian, në kuadër të Pakos Energjetike Emergjente të BE-së në shumë prej 75 milionë eurosh./rtk/