Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Qytetarët në hall me muzikën që vjen nga lokalet që shërbejnë edhe si klube nate

Vendi  |  16.01.2024 Ora 7:51   

Me zërin e muzikës “në kupë të qiellit”, që vjen nga lokalet, qytetarët e Prishtinës përballen nga e hëna deri të shtunën, shpesh edhe pas mesnatës.

Erblin Ajdini, që është banor në lagjen “Pejton”, ka thënë se zhurma që vjen nga lokalet e gastronomisë është me nivelin e njëjtë si të sallave të dasmave.

Ai ka theksuar se ndotja akustike është shndërruar në makth për të.

“Neve na pamundësohet jetesa e mirëfilltë në një lagje të Prishtinës dhe në anën tjetër e kemi një mosangazhim apo me thënë edhe neglizhim institucional prej Komunës, prej akterëve që premtojnë që kanë me zgjedhë problemin e zhurmës akustike, mirëpo gjithmonë dështojnë, sepse nuk ndërmarrin masa edhe përdorin metoda të pingpongut në institucionet e tjera në mënyrë që me heqë përgjegjësinë prej tyre”, ka thënë ai.

Banorët kanë treguar edhe një email që u është kthyer nga Policia, pas ankesës së tyre për zhurmën e një lokali. Aty thuhet se pak minuta para mesnatës u është tërhequr vërejtja dhe është ndaluar muzika.

Aty po ashtu theksohet se pas mesnate lokali ka vazhduar me muzikë, pasi organeve të rendit u është prezantuar një leje nga Komuna.

“Njësisë u është prezantuar leja nga Komuna, më konkretisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike se lokali zhvillon aktivitetin e tij si klub i natës nga ora 23:02:00”, thuhet në shkresë.

Florian Dushi, drejtor i Inspektoratit në Prishtinë, është shprehur se ankesat janë shtuar në fazën e fundvitit, teksa për çështjen e lejes ka thënë se është çështje e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

“Po, kemi informatë, e kemi parë edhe ne atë dokument, atë pëlqim ose leje pune që duket se është nxjerrë në përputhje me rregulloren e re në fuqi, por që është kompetencë e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ne nuk jemi kompetentë. Janë gjobitë lokalet në fjalë, kanë pajisjet e instaluara, respektojnë decibelët e lejuar. Nuk ka tejkalim të decibelëve, çështje tjera nuk di”, ka thënë Dushi.

Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për lejet e dhëna që nga fundi i javës së shkuar.

E qytetarët thonë se janë pa shpresë për zgjidhje të problemit me ndotjen akustike.

“Shumë shpesh do të thotë çdo ditë, prej të hënës deri të shtunën, e diela është e vetmja ditë pushimi, deri të shtunën ne çdo ditë e thërrasim policinë, ankohemi për të njëjtin problem, i cili nuk zgjidhet kurrë”, ka deklaruar qytetari Erblin Ajdini.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, ka thënë se kanë shqiptuar rreth 50 vërejtje dhe rreth 50 gjoba për lokalet që kanë tejkaluar njësinë prej 60 decibelëve. Por, ai ka theksuar se deri tani në asnjë rast nuk e kanë shqiptuar masën për mbyllje të ndonjë lokali.

“Jo nuk është mbyllur asnjë lokal deri më tash, por bëhet fjalë për tri lokale do të thosha që janë në pritje kushtimisht që në rast së do të shkelen sërish decibelët e lejuar atëherë do të shqiptohen kjo masë nga ana e Inspektoratit”, ka theksuar Dushi.

Komuna e Prishtinës ka një rregullore në fuqi për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike. Dispozitat ndëshkimore për sektorin e gastronomisë në rastin e tejkalimit të decibelëve të lejuar janë vërejtjet, gjobat nga 500 deri në 5000 euro dhe ndalja e veprimtarisë në kohëzgjatje deri në 8 ditë./eo/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing