Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës: Prindërit në vështirësi

Vendi  |  23.02.2024 Ora 8:17   

Kastriot Duraku, drejtor i Arsimit në Komunën e Skenderajt, ka treguar se ka pasur raste të rezistencës nga disa prindër për vaksinimin e vajzave të tyre kundër kancerit të qafës së mitrës. “Pasi kemi filluar në shkollën më të madhe në kryeqytet, në shkollën ‘Shaban Jashari’, procesi është duke shkuar shumë mirë, por kemi hasur në rezistencë të implementimit të këtij projekti, gjë që mendoj se u duhet më shumë njohuri prindërve për këtë vaksinë”, ka thënë ai.

Nxënëse të klasave të gjashta në disa institucione arsimore në Kosovë janë vaksinuar të enjten kundër kancerit të qafës së mitrës, porse procesi është kundërshtuar nga disa prindër.

Për këtë vaksinim, i cili është duke u ndërmarrë për herë të parë, në disa shkolla të kryeqytetit kanë thënë të jenë informuar gjatë javës së shkuar.

Isak Bregaj, drejtor në shkollën fillore e të mesme “Pavarësia” në Prishtinë, ka vlerësuar se informimi ka qenë i vonshëm.

“Për këtë vaksinimin e kësaj Human Papilloma Virus jemi njoftuar shumë vonë. Jam informuar edhe unë shumë vonë, me datën 13 jemi informuar se do të fillojë me këtë lloj vaksinimi për klasat e gjashta”, ka thënë Bregaj, tek ka bërë të ditur se megjithëkëtë në shkollën të cilën ai e drejton nuk ka pasur hezitim për t’u vaksinuar.

Stina Avdyli, nxënëse në shkollën “Pavarësia”, ka thënë se është e informuar për rëndësinë e kësaj vaksine.

“Jam konsultuar me prindërit dhe ata e kanë miratuar vaksinën. Unë tashmë e kam marrë. Kam pasur pak dhimbje por unë e kam një porosi për moshatarët e mi që ta marrin këtë vaksinë, sepse janë vetëm për shëndetin tonë dhe arsyeja e kësaj vaksine është që të mos kemi sëmundje të ndryshme, mos të kemi helmim të gjakut, të mitrës e shumë të tjera”, ka thënë ajo.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka informuar se gjatë ditës vaksinimi është zhvilluar në shtatë komuna.

Që nga marta, procesi ka nisur edhe në Komunën e Skenderajt.

Kastriot Duraku, drejtor i Arsimit në këtë Komunë, ka treguar se ka pasur raste të rezistencës nga disa prindër për vaksinimin e vajzave të tyre kundër kancerit të qafës së mitrës.

“Pasi kemi filluar në shkollën më të madhe në kryeqytet, në shkollën ‘Shaban Jashari’, procesi është duke shkuar shumë mirë, por kemi hasur në rezistencë të implementimit të këtij projekti, gjë që mendoj se u duhet më shumë njohuri prindërve për këtë vaksinë”, ka thënë Duraku.

Vaksinimi të enjten ka nisur edhe në Komunën e Podujevës, ku prindërit nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.

Tek e përcolli mbarëvajtjen e vaksinimit në shkollën fillore “Hyzriu e Samiu”, në fshatin Letanc të Podujevës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar në mënyrë indirekte se ka mungesë të informimit mbi rëndësinë e kësaj vaksine.

“Vetë fakti që 80 për qind e vajzave dje e kanë marrë vaksinën tregon që nuk ka hezitim, mirëpo natyrisht ka pasur nganjëherë hezitime nga disa qytetarë me ide jo të mira dhe me njohuri aspak të mjaftueshme ku kanë shprehur spekticizëm ndaj vaksinimit”, ka thënë ai.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pritjen që qytetarët të vetëdijesohen për rëndësinë e vaksinimit.

“Besoj që me kalimin e kohës, edhe ata do të binden që nuk ka asnjë efekt negativ nga ky proces dhe besoj që të gjithë do t’i nënshtrohen, sikurse ka ndodhur edhe me proceset e tjera të vaksinimit”, ka thënë Bulliqi.

Sipas IKSHPK-së, vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës përdoret në Evropë që prej vitit 2006. Bazuar në të dhënat e Institutit nga provat klinike dhe mbikëqyrja e përdorimit të saj, vaksina është e sigurt dhe një prej më të testuarave që është licencuar ndonjëherë.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, ka thënë se vaksina është efikase dhe pa efekte anësore.

“Është paraparë në të gjitha hulumtimet në botë që kjo është mosha ideale ku mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës përmes kësaj vaksine, e cila është tejet efikase, e teje dobiprurëse për shëndetin e vajzave, jo vetëm të atyre, por edhe djemve në parandalimin e kancerit dhe kancerit të organeve gjenitale dhe të sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme”, ka thënë Ramadani.

Vaksina kundër infeksionit viral Human Papilloma Virus është përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit në vitin 2023.

Vaksina përdoret në 126 vende të botës, në 47 prej tyre edhe për djemtë.

Ramadani ka thënë se në të ardhmen do të vaksinohen edhe djemtë për t’u mbrojtur nga ky virus.

“Është planifikuar që së shpejti të shihet sipas rezultateve tek meshkujt, por duke pasur parasysh që përqindja dominuese e kancerit të qafës së mitrës paraqitet te femrat është më e rrezikshme dhe vdekjeprurëse, ne kemi filluar me këtë”, ka thënë ai./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing