Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Prishtina Jazz Catz” e fut audiencën në zbulim thesaresh muzikore

Kulturë  |  07.03.2024 Ora 14:12   
Duket krejt spontane, por “Prishtina Jazz Catz” e ka të qartë misionin: të fusë në ritmet e jazzit edhe muzikantë të rinj. Në “jam session” janë bashkuar pesë muzikantë të zotë, kanë ftuar edhe prej publikut t’i bashkohen lojës dhe synimet janë që mbrëmje të tilla të rezervohen për çdo të martë të parë të muajit në qendrën kulturore “Defy Them”. “Testi” i parë ka qenë i suksesshëm, e krejt mbrëmja ka qenë në harmoni me përkufizimin që pianisti amerikan, Rick Bassett, ia bën skenës së jazzit në Kosovë: një thesar të fshehur i cili pret të dalë në dritë.

Praktika e emërtimit të jazz-muzikantëve si “cats” apo mace, është prezente kaherë në historinë e gjatë të këtij zhanri. Jo e rastësishme, kjo nofkë u vihet pasi që macet – njëjtë sikurse muzikantët e jazzit – kulmin e veprimtarisë së tyre e arrijnë me të rënë muzgu. Po ashtu, njashtu si macet, ata shpesh qëndrojnë të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Një hapësirë të tillë të destinuar për jaz-in dhe admiruesit e tij po e ofron edhe “Prishtina Jazz Catz” si ngjarje e cila realizohet në formatin e sesionit joformal ku luhet me instrumentet identifikuese të zhanrit. Edhe pse skena e jazzit nuk vjen aq në shprehje në Kosovë – përkundër faktit se ka jazz-muzikantë të kalibrit botëror dhe një histori të festivalit – një përpjekje e tillë shërben si një ngadhënjim i këtij zhanri dhe admirueseve të tij, e që synon të ketë vazhdimësi duke u organizuar çdo të martë të parë të muajit në hapësirat e “Defy Them”.

Organizuar nga muzikanti virtuoz Visar Kuçi, ky sesion solli për publikun kuintetin e larmishëm me muzikantë vendesh të ndryshme. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja janë vendet prej të cilave vijnë pesë anëtarët e grupit, të përbërë nga Dukagjin Muhaxheri në alt-saksofon, maqedonasi Ivan Ivanov në tenor-saksofon, amerikani Rick Bassett në piano, Visar Kuçi në bas-kitarë dhe Nesim Maxhuni në bateri.

Gjuha universale e muzikës dëshmoi dhe një herë se formacionet e tilla krijojnë bashkëpunime që ofrojnë performanca të arrira e të mirëpritura.

 
Iniciativa e muzikantit Visar Kuçi për realizimin e këtij eventi duket të ketë ardhur si nevojë e shprehjes artistike për këtë zhanër dhe ofrimit të një hapësire të destinuar për talentet e reja që e lëvrojnë këtë zhanër.

“Ideja e këtij ‘jam session’ është me u ofru hapësirë muzikantëve të rinj të jazzit, të cilët nuk e kanë mundësinë me u shfaq dhe ideja ka qenë mos me qenë nëpër lokale të natës, në vende të zakonshme, por me qenë me një vend që është më shumë si qendër kulturore, siç është ‘Defy Them’”, ka thënë Kuçi duke theksuar rolin e ngjarjeve të tilla dhe bashkëpunimeve si ky, të cilat mund të jenë të frytshme për këdo.

Kjo mbrëmje e veçantë filloi duke e mbivendosur një atmosferë të këndshme dritash e tingujsh si uverturë e një performance e cila do të kthente pas në kohë, në epokat e arta të jazzit në Amerikën e shekullit XX.

Nga SHBA-ja, Rick Bassett, i pranishëm në këtë sesion përmes lojës në piano për të pranishmit, ndau dhe tri kompozime të reja të tij. Ka pasur një arsye që bateristi Nesim Maxhunit thotë të jenë futur në repertor.

“E veçanta, e bukura e kësaj mbrëmjeje është që këto kompozime nuk i kemi luajtur kurrë më herët dhe është si test i mirë, sepse do të incizojmë album me Rickun. Preferohet që para incizimit t’i luajmë në ndonjë vend në mënyrë që t’i hulumtojmë pikat kryesore të kompozimit, të shikojmë reagimin, dinamikat, format e të tjera”, ka thënë Maxhuni.

Pianisti Bassett skenën e jazzit në Kosovë ka thënë se e sheh si një thesar të fshehur i cili pret të dalë në dritë. Ka shpalosur edhe detaje për kompozimet e tij. “Mendoj se ka një audiencë të kënaqshme për jazzin në Kosovë. Një hapësirë e tillë është shumë inkurajuese për të gjithë entuziastët e këtij zhanri. Mendoj se është një treg i pazbuluar ende. Sa herë që gjendem në një event të tillë shoh se ka shumë njerëz, kështu që shpresoj të vazhdojë të rritet kjo audiencë”, ka thënë Bassett.

Testi i veprave të tij ka qenë i suksesshëm pasi “Desert crossing” dhe “Suspended” janë luajtur harmonishëm për të vazhduar me jazz standard dhe inkuadrimin spontan të publikut në kuintet. Lëvizjet trupore të audiencës në sinkron me tingujt që dilnin nga piano, kitara e saksofonat qenë tregues të mirë për reagimin e publikut.

Saksofoni, instrument thelbësor në jazz, mori skenën me tingujt e tij të maturuar me ngjyra të ngrohta nëpërmjet lojës së maqedonasit Ivan Ivanov duke krijuar një atmosferë intime, e cila përputhet në harmoni me ritmin e muzikës dhe humorin e të pranishmëve.

Për të, skena e jazzit në Kosovë ngjason me atë në Maqedoninë e Veriut, por, sipas tij, duhet të ndiqet një hap i ri, i cili për skenën jazz në Kosovë mund të hapë dyer të reja.

“Dua të them që një gjë e mirë që ka ndodhur në Maqedoni kohëve të fundit është formimi i një bendi shtetëror për jazz-muzikë dhe mendoj që kjo ide do të ishte e mirë edhe për Kosovën, do të shërbente si shembull i mirë. Ka shumë njerëz që e duan jazzin, është mirë që ata të kenë ku të vijnë dhe ta mbështesin këtë zhanër”, ka thënë Ivanov.

Ky sesion jazzi në “Defy Them” përtej aftësive teknike të artistëve pjesëmarrës solli dhe spontanitetin dhe bashkëpunimin që e karakterizon zhanrin. Shërbeu si një kujtim për fuqinë e performancave live në bashkimin e njerëzve në një ngjarje që i kushtohet kultivimit të muzikës jazz dhe shijes për të në Prishtinë.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing