
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka mbajtur dëgjim publik lidhur me projektligjin për tekste shkollore, në të cilën u dhanë komentet e sugjerimet në lidhje me projektligjin.
"Projektligji për tekstet shkollore do të rrit cilësinë dhe rezultatet në arsim". Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në dëgjimin publik për projektligjin për tekste shkollore.
“Ky projektligj ka për qëllim caktimin e normave për hartimin e teksteve shkollore në arsimin parauniversitar si i tillë paraqet një legjislacion të rëndësishëm, në të janë përfshirë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues akademikë. Ky projektligj rrit cilësinë, transparencën, dhe rezultatet e nxënësve”, ka thënë Nagavci.
Gjatë diskutimeve u kërkua më shumë qartësi për projektligjin.
“Kemi nevojë për një qartësi më të madhe, p.sh çështja e nenit të tretë, paragrafi i dytë, çdo tekst shkollor, neni 9 flet për klasën parafillore, ndërlidhet me ligjin për fëmijëri të hershme, neni 12 flet për lektyra shkollore”, ka thënë Selim Mehmeti nga Instituti Pedagogjik i Kosovës
“Duhet mi dallu librat 1-5 dhe 6-11, testet 1-5 përmbajnë më shumë figura andaj konkursi për autorë mendoj se do duhej të ishte i dyti jo i pari”, ka thënë Ilir Mazreku, autor.
“Ajo çka e kam pa është se botuesit janë përjashtuar nga ky proces e për mua është shqetësuese, dhe ne po e ndryshojmë traditën e disa viteve dhe mendoj se po hyjmë në qorrsokak”, ka thënë Arbër Jashari, avokat.
Anëtarja e Komisionit për Arsim, Arjeta Rexhepi, njoftoi së Grupi punuës do t’i pranoi komentet me shkrim deri të hënën./rtk/