Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Diaspora ndihmon Kosovën të dalë e para në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike

Vendi  |  12.04.2024 Ora 8:13   

Kosova sivjet pritet që të shënojë rritje ekonomike prej 3.7 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm prej 3.9 për qind. Sipas Raportit të Bankës Botërore, i cili është publikuar të enjten, ky progres do ta bëjë Kosovën vendin me zhvillimin më të lartë ekonomik në rajon. E një prej faktorëve kryesorë për këtë rritje vlerësohet të jenë remitencat nga diaspora, por edhe rritja graduale e investimeve. Megjithëkëtë, sipas Bankës Botërore, kjo nuk është e mjaftueshme për qytetarët

Mbështetja financiare nga diaspora është një prej faktorëve që pritet ta nxjerrë Kosovën si vendin e parë në rajon për nga rritja ekonomike për sivjet, është thënë në Raportin e Bankës Botërore (BB) për Ballkanin Perëndimor, i cili është publikuar të enjten.

Sipas raportit, Kosova do ta ketë rritjen më të lartë – prej 3.7 për qind e që është për 0.6 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. Krahas remitencave, rritja graduale e investimeve do të ndikojë gjithashtu që progresi ekonomik të vazhdojë edhe më 2025, duke arritur në 3.9 për qind.

“Rritja e PBB-së në Kosovë pritet që të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje graduale e investimeve”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas ekonomistëve të Bankës Botërore, zhvillimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor është duke i arritur nivelet e parapandemisë. Por, ka edhe rreziqe.

“Perspektiva është pozitive, por pasiguritë që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe politikën e brendshme, dhe një ngadalësim i mëtejshëm në BE sjellin rreziqe të konsiderueshme. Për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në, reformat në sektorët fiskalë, të qeverisjes, arsimit dhe energjisë duhet të jenë prioritet”, ka thënë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. 

Me gjithë rritjen ekonomike, sipas këtij institucioni, ajo nuk është e mjaftueshme për qytetarët.
“Pas disa vjetëve të trazuara si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike, është mbresëlënëse të shohësh se si rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor po arrin nivelet e parapandemisë, ndërsa varfëria vijon të ulet. Megjithëkëtë, progresi aktual nuk mjafton për të përmbushur aspiratat e qytetarëve dhe për të përmirësuar standardet e jetesës drejt atyre të Bashkimit Evropian. Plani i ri i rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht për ekonominë e gjelbër”, ka thënë Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Pas Kosovës rritja më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2024 dhe 2025 është parashikuar të ndodhë në Mal të Zi dhe në Serbi.

Sipas raportit të Bankës Botërore, investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale.

“Qytetet janë vendi ku zhvillimi ekonomik ndodh realisht. Ato i afrojnë punëtorët me vendet e punës, duke nxitur produktivitetin, duke rritur mundësitë dhe duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe ideve”, ka thënë Natasha Rovo, ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit. “Qytetet në Ballkanin Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë pasur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike, por edhe për shkak të cenueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet në ekonominë e gjelbër mund të jenë një mundësi e mirë për t’i dhënë shtysë rritjes në të ardhmen”.

Raporti ka dhënë edhe rekomandime për ndërmarrjen e veprimeve në tri fronte kryesore me qëllim gjelbërimin dhe forcimin e qyteteve në Ballkanin Perëndimor.

“Së pari, krijimi i qyteteve sa më kompakte do të ndikonte pozitivisht në rritje, do të ulte kostot në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të përmirësonte situatën mjedisore. Së dyti, reformat dhe investimet që synojnë zgjerimin e sistemeve të transportit publik dhe kalimin në ndërtesa më të gjelbra dhe me efiçencë energjetike do të pakësonte ajrin e ndotur, i cili është shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme çdo vit në rajon. Së treti, nxehtësia ekstreme në qytete, me temperatura që në stinën e verës shkojnë 4,5- 7,5°C më të larta se në zonat rurale rreth tyre, do të ndikojë negativisht në produktivitet dhe shëndetin e njeriut”, thuhet tutje në raport.

Për pikën e tretë u rekomandohet bashkive të miratojnë masa për freskimin e hapësirave fizike nëpërmjet projektimit dhe planifikimit më të mirë urban dhe investimeve të posaçme./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing