Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Orkestra ua diktoi ritmin e hapave të marshimit 445 policëve të rinj, teksa ata hynë të enjten në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë për ceremoninë e betimit solemn.
345 djem dhe 100 vajza që nga e enjtja i janë shtuar Forcës së Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, të pranishëm kanë qenë edhe udhëheqës të shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani i ka përgëzuar pjesëtarët e rinj të policisë dhe i ka porositur ata që si shembull se si mbrohet vendi ta marrin rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë gjatë sulmit terrorist të ndërmarrë nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë, pa dallim. Prandaj, në këtë punë e në këtë mision të rëndësishëm le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshirë heroin Afrim Bunjaku, udhërrëfyes i juaj i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyese e juaja”, ka theksuar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka treguar se në mesin e policëve të rinj, 88 janë pjesëtarë të komuniteteve joshumicë.
“Te figura e policit janë të përbashkuara personifikimi i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të rendit publik, si dhe vetë imazhi e autoriteti i shtetit dhe i shoqërisë përkatëse. Andaj, në strukturën e policisë së një shteti mund të lexohet edhe vetë struktura e shoqërisë dhe natyra e atij shteti”, ka thënë Kurti në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë.
I pranishëm në këtë ceremoni, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e përçoi një mesazh për të rinjtë nga komunitetet joshumicë, teksa e ka përmendur ndalimin e policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
“Të dashur kadetë të policisë, veçanërisht ju nga komunitetet, Republika jonë është edhe e juaja, vendi ynë është i përbashkët dhe çdo ditë e punës sonë duhet dedikuar forcimit të tij”, ka thënë Sveçla.
Policët e rinj i ka uruar nëpërmjet një postimi në Facebook edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.