Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në kuadër të javës së strehimit familjar sot në programin “Radar” në Radio Dukagjini u diskutua për fëmijët pa kujdes prindëror.
Në Kosovë aktualisht janë 36 familje strehuese dhe pagesa që marrin është 350 për fëmijë me zhvillim tipik dhe 450 euro për një fëmijë me aftësi të kufizuar.
Albanë Hoti, përgjegjëse për avokim të strehimit familjar në Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, përmendi disa nga arsyet e braktisjes së fëmijëve në Kosovë.
“Arsyet financiare, fëmijë apo martesa të padëshiruara, martesat e hershme, mungesa e mbështetjes familjare, mentaliteti i vrazhd i kësaj shoqëri vije deri tek braktisja e fëmijës”, tha Hoti në Radar.
Ajo shtoj se të gjitha familjet që duan të strehojnë fëmijë duhet të lajmërohen në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetojnë, pasi siç tha jo të gjitha familjet mund të bëjnë strehimin e fëmijëve.
“Familjet duhet të kenë infrastrukturë, hapësirë të mjaftueshme nëpër shtëpitë e tyre, nuk duhet të jenë të përndjekur penalisht, duhet të merret pëlqimi i të gjithë anëtarëve të familjes, fëmijëve biologjik dhe të gjithë atyre që janë në rrethin e ngushtë të familjes në mënyrë që të krijohet një ambient i ngrohtë dhe mikpritës për fëmijët”, tha Albanë Hoti, përgjegjëse për avokim të strehimit familjar në OFAP, gjatë intervistës në Radar.
Ndërsa, Fata Rexhepi Mehmeti – koordinatore e psikologëve, tha se familja strehuese shumicën e rasteve është mundësi më e mirë pasi fëmiut i zgjidhet statusi jetësor.
Vrasjet dhe format e ndryshme të dhunës të cilat po i shohim çdo ditë e më shumë kanë bërë që momentalisht në Kosovë numri i fëmijëve që vendosen tek një familje të jetë 50-60 fëmijë brenda muajit.
Në Ditën Botërore të Familjes dhe hapjen e javës së strehimit familjar në Kosovë, u bë thirrje për të gjitha familjet që janë të interesuara që të bëhen familje strehuese pasi ka nevojë jashtëzakonisht të madhe sidomos në ato komuna ku nuk është i zhvilluar sa duhet strehimi familjar. /Telegrafi/