Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Duke filluar nga ky vit, sipas metodës së re, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar komunat me barna nga lista esenciale çdo tre muaj. Madje, sipas Ministrisë, furnizimi ishte jashtëzakonisht i rregullt.
“Mund të theksojmë se furnizimi i rregullt me barna, material shpenzues, si dhe me insulina është në proporcion me kërkesat e tyre. Sipas të dhënave, niveli i furnizimit për barna arrin në 80%, ndërsa për materialet shpenzuese në 92%”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lista esenciale e barnave është dokument zyrtar me përzgjedhje barnash e produktesh esenciale mjekësore. Produktet nga kjo listë e që përfshin rreth 200 lloje barnash, ofrohen falas.
Por kryeqyteti e disa komuna të vogla, nuk pajtohen me Ministrinë. Mbulueshmëri 100 për qind nga lista esenciale e barnave ka vetëm për insulinë.
“Në tremujorin e parë të këtij viti ishte bërë me 48% dhe me material shpenzues 61% duke mos qenë jo e mirë. Në tremujorin e dytë kemi pasur 34% furnizim me barna kurse kemi pasur 63% me material shpenzues e nëse i mbledhim këto mos t’i përmendi totali, ose mesatarja e furnizimit për vitin 2024 ka qenë 45% me barna dhe rreth 70% ka qenë furnizimi me materiale shpenzuese. Është më mirë se fillimi është më mirë se viti i kalum, por mbetet për t’u dëshiruar”, tha Bujar Gashi, drejtor QKMF, Prishtinë.
Në Han të Elezit ankohen për mungesë të ampulave e llojeve të tabletave.
“Në tremujorin e parë diku rreth 20% nga lista esenciale jena furnizu dhe kjo është një sfidë sidomos për Drejtorinë e Shëndetësisë Janar-Tetor është 30% barna esenciale dhe material shpenzues diku 60% e furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Kimete Kuka nga Drejtoria e Shëndetësisë e Hanit të Elezit.
Ndërsa, në Drenas mbulueshmëria e barnave nga lista esenciale në tremujorin e fundit ishte pak mbi 50 për qind.
‘’Në tremujorin e fundit dhe tremujorin e katërt, ka një rritje të theksuar krahasim me tremujorin paraprak, shembull tremujorin e parë kemi pasur 98% nga vlerësimi që është bërë të jetë furnizuar me barna nga lista esenciale ka
qenë vetëm 46%, ndërsa tremujorin e dytë Prill-Qershor vetëm 23.43% që është një shumë e vogël’’, tha zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra.
Sipas të dhënave që i siguroi ATV-ja, në tremujorin e parë të vitit Komuna e Vitisë është mbuluar me 33.47% të barnave esenciale dhe 58% material shpenzues.
Në mungesë të barnave, qytetarët detyrohen t’i blejnë vetë ato, ndërsa barnat nuk kanë çmime të unifikuara./atv/