Qeveria e Zelandës së Re po përballet me një padi ligjore të ngritur nga dy organizata të fuqishme mjedisore, të cilat e akuzojnë për një plan të mangët dhe jorealist për të ulur ndotjen që shkakton ngrohjen globale.
"Plan me mangësi të mëdha dhe pasoja të rënda për vendin," – thuhet në padinë e ngritur nga grupet Lawyers for Climate Action NZ dhe Environmental Law Initiative, që përfaqësojnë rreth 300 juristë dhe ekspertë të mjedisit. Ata kërkuan rishikim gjyqësor në Gjykatën e Lartë të Wellington kundër Ministrit të Ndryshimeve Klimatike, Simon Watts.
Në thelb të padisë qëndrojnë dy akuza kryesore:
Heqja e mbi 30 politikave klimatikë pa konsultim publik – përfshirë subvencionet për makinat elektrike dhe fondet për dekarbonizimin e industrisë.
Varësia e tepruar nga mbjellja e pyjeve dhe teknologjitë e diskutueshme si kapja dhe ruajtja e karbonit (CCS), të cilat nuk janë ende të provuara në shkallë të gjerë.
“Po e çojmë këtë çështje në gjykatë sepse është thelbësore që qeveria të mbahet përgjegjëse,” tha në një deklaratë grupi Lawyers for Climate Action NZ. “Shkencëtarët më të mëdhenj të botës kanë bërë të qartë se kjo dekadë është vendimtare për veprimin klimatik – por qeveria po shkurton në heshtje politikat dhe po mbështetet te mbjellja e pishave si zgjidhje.”
Nga ana tjetër, zyra e ministrit Simon Watts konfirmoi për CNN se ai është në dijeni të procesit gjyqësor, por nuk do të komentojë për shkak të procedurave në zhvillim.
Plani qeveritar, i kritikuar si “jo i besueshëm”
Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria publikoi planin e saj të dytë për uljen e emetimeve, duke premtuar një “qasje të udhëhequr nga teknologjia”, që sipas saj synon të ulë ndotjen pa dëmtuar ekonominë.
Një pjesë kryesore e këtij plani është investimi në teknologji si kapja e karbonit, mbjellja e pyjeve dhe menaxhimi i mbetjeve organike. Qeveria parashikon që deri në vitin 2050, rreth 700 mijë hektarë tokë do të shndërrohen në pyje.
Por sipas Komisionit për Ndryshimet Klimatike në Zelandën e Re, ka një “nevojë urgjente” për forcimin e politikave klimatike, ndërsa Partia e Gjelbër në vend e quajti planin aktual “i pavlefshëm”.
Organizata Environmental Law Initiative shtoi:
“Kjo është ndër rastet e para në botë që sfidon në gjykatë një qeveri për mbështetjen e tepruar te kompensimi i emetimeve në vend të reduktimit të tyre në burim.”
Edhe pse Zelanda e Re, me rreth 5 milionë banorë, kontribuon pak në shkallë globale, ajo po përjeton pasoja të mëdha nga kriza klimatike: zhdukje të biodiversitetit, erozion bregdetar dhe rrezik për komunitete të tëra.
Pavarësisht deklaratave zyrtare për përkushtim ndaj objektivit global për të kufizuar ngrohjen në 1.5°C, kritikat ndaj qeverisë së re – që mori detyrën në nëntor 2023 – janë gjithnjë e më të forta për mungesë të veprimit të qartë dhe efektiv.