Carrie Bradshaw, personazhi i dashur i serialit “Sex and the City”, nuk u bë vetëm ikonë televizive, por edhe simbol stili për një brez të tërë. Një nga veshjet më të famshme që mbajti në ekran – fustani me printe gazete i markës Dior – është kthyer në një referencë të përhershme në historinë e modës, por jo pa polemika.
Dizenjuar nga John Galliano për koleksionin “Fly Girl” të vjeshtës-dimrit 2000, fustani u bë legjendar falë një skene në sezonin e tretë të serialit, ku Carrie ecën në mënyrë dramatike nëpër rrugët e Manhattanit. Pamja e saj u fiksua menjëherë në kujtesën e publikut, duke e kthyer veshjen në një ikonë të kulturës pop. Sarah Jessica Parker e veshi të njëjtin fustan edhe në filmin “Sex and the City 2” gjatë xhirimeve në Nju Jork, në vitin 2009.
Por historia e këtij fustani nuk mbaron me televizionin dhe tapetin e kuq. Ai është pjesë e një koleksioni më të gjerë dhe shumë më kontrovers.
Në janar të vitit 2000, Galliano prezantoi koleksionin e “haute couture” pranverë-verë të Christian Dior në Pallatin e Versajës. I titulluar “Hobo” (Endacak), koleksioni ishte i frymëzuar nga pamjet e të pastrehëve që stilisti britanik kishte parë gjatë vrapimeve të tij në Paris. Modelet sfiluan me rroba të grisura, të përpunuara qëllimisht për të ngjarë si të përdorura, të shoqëruara me aksesorë si shishe të vogla uiski dhe vegla kuzhine të hedhura tej. Disa prej tyre ishin të mbështjella me shtresa që dukeshin si gazeta të vjetra — në fakt, dizajni vinte nga faqet e modës të International Herald Tribune.
Megjithëse koleksioni mori lavdërime nga kritika e modës për kreativitetin dhe guximin artistik, ai ndezi një stuhi reagimesh sociale. Aktivistët e mirëqenies sociale dhe komentuesit francezë e kritikuan ashpër, duke e cilësuar si një tallje ndaj varfërisë. Protesta u zhvilluan jashtë selisë së Dior në Paris, ku komuniteti i të pastrehëve shprehu indinjatën për përdorimin e imazhit të tyre si “modë”.
Përballë presionit publik, Galliano kërkoi falje zyrtare pas dhjetë ditësh nga prezantimi i koleksionit, duke deklaruar:
“Kurrë nuk kam pasur qëllim të bëj spektakël me mjerimin.”
Fustani i Carrie-t mbetet një kujtesë se moda shpesh është më shumë se thjesht estetikë – ajo është koment social, provokim dhe, herë pas here, burim i fortë debatit.