Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas rritjes së çmimeve të naftës në Kosovë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur të aktivizojë çmimet tavan për një periudhë 90-ditore. Ky vendim vjen në një kohë kur çmimi mesatar i importit të naftës, më 21 qershor, ishte 57 centë për litër pa taksa, ose 1 euro e 9 centë me taksa. Ndërkohë, në tregjet me pakicë, çmimi ka arritur deri në 1 euro e 32 centë për litër, ndërsa në raste të naftës me cilësi më të lartë, deri në 1 euro e 37 centë.
Vendimi i MINT përcakton marzhat maksimale të fitimit: deri në 2 centë për shitësit me shumicë dhe deri në 12 centë për ata me pakicë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, çmimi i importit për litër nafte më 13 qershor – në ditën kur nisi konflikti Izrael-Iran – ishte vetëm 49 centë pa taksa. Edhe më 21 qershor, nafta e importuar nga Arabia Saudite kushtonte rreth 50 centë për litër, ndërsa ajo nga Greqia rreth 60 centë.
Ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka reaguar ndaj kësaj situate duke theksuar se mungesa e kontrollit efektiv nga institucionet përgjegjëse ka krijuar një treg të pakoordinuar dhe jo transparent.
“Nuk ka nevojë për marrëveshje të shkruara – mjafton që çmimet e të gjithë operatorëve të mëdhenj të lëvizin në të njëjtën kohë, me të njëjtin ritëm, dhe kjo është një tregues i qartë që diçka nuk po funksionon si duhet,” tha Mulaj.
Ai vuri në pah rëndësinë e ndërtimit të një tregu të drejtë, ku operatorët privatë të garojnë me çmime, cilësi dhe sasi, dhe jo me manovra që dëmtojnë konsumatorin.