
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Akullnajat e Zvicrës, që janë më të shumtat në kontinentin europian, po zbehen me ritme alarmante për shkak të ngrohjes globale. Tani, përveç tkurrjes së tyre, është shfaqur edhe një fenomen i ri dhe shqetësues: akullnajat po shfaqin vrima të mëdha, duke ngjashmuar gjithnjë e më shumë me djathin zviceran.
Matthias Huss nga grupi GLAMOS, i cili monitoron akullnajat, i tregoi Associated Press këtë muaj pamje alarmante nga Akullnaja e Rhone-s – një nga më të rëndësishmet në Zvicër – teksa kryente inspektimin e parë të verës. Ai konfirmoi se vrimat në akull janë shfaqur dhe po zgjerohen me shpejtësi, duke e bërë akullnajën të humbasë strukturën e saj dinamike.
Ngjarje dramatike në Alpet Zvicerane
Vëmendja ndërkombëtare u përqendrua muajin e kaluar në Zvicër kur një rrëshqitje balte goditi fshatin Blatten, si pasojë e shkatërrimit të Akullnajës Birch në një mal alpin. Fatmirësisht, shumica e banorëve ishin evakuuar në kohë, por një burrë 64-vjeçar rezultoi i zhdukur dhe autoritetet e gjetën trupin e tij disa ditë më vonë.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet gjeologjike dhe ngrohja globale ishin faktorët kryesorë që çuan në këtë fatkeqësi.
Akullnajat po zhduken me ritme rekord
Akullnajat zvicerane kanë nisur të tërhiqen që prej 170 vitesh, por sipas Huss, që nga vitet 1980, shkrirja është përshpejtuar ndjeshëm, me vitet 2022 dhe 2023 që u regjistruan si më katastrofiket.
“Në vitet e fundit, akullnajat nuk po arrijnë më të rigjenerohen,” tha ai. “Ato po kthehen në masa të palëvizshme akulli që thjesht shkrijnë në vend."
Vrimat, sipas Huss, krijohen nga uji që qarkullon në bazën e akullnajës ose nga rrjedhjet e ajrit brenda masave të akullit. "Fillimisht vrimat formohen në brendësi, pastaj ato zgjerohen derisa të shembet tavani i tyre dhe bëhen të dukshme edhe nga sipërfaqja."
Rrezik për ujin, bujqësinë dhe energjinë
Shkencëtarët paralajmërojnë se tkurrja e akullnajave mund të ketë pasoja të mëdha për furnizimin me ujë të pijshëm, bujqësinë, peshkimin dhe prodhimin e energjisë elektrike, veçanërisht në Zvicër ku hidrocentralet janë burimi kryesor i energjisë.
Richard Alley, profesor në Universitetin Penn State, theksoi se për momentin akullnajat po mbështesin prurjet e lumenjve gjatë verës, por kur ato të zhduken, prurjet do të bien në nivele të rrezikshme.
Humbje të pakthyeshme
Në shumë zona, shkrirja po ndodh me shpejtësi marramendëse: deri në 10 metra trashësi akulli janë zhdukur brenda një viti. Huss tha se disa nga akullnajat që ai ka monitoruar prej 20 vitesh tashmë kanë zhdukur plotësisht.
“Ndonjëherë është e dhimbshme të shohësh këto ndryshime. Aty ku dikur kishte akull të bardhë dhe të pastër, tani ka vetëm gurë të thyer,” tha ai.
Megjithatë, ai pranoi se si shkencëtar është gjithashtu një moment i rrallë për të vëzhguar drejtpërdrejt ndryshime kaq të shpejta klimatike.