Shtëpia e aktorit të njohur Brad Pitt në Los Angeles është plaçkitur nga një grup prej tre vjedhësish. Sipas Policisë së Los Angeles, tre të dyshuarit kanë hyre në shtëpinë që ndodhet në lagjen Los Feliz, përmes një dritareje dhe kanë plaçkitur vendin. Policia nuk ka konfirmuar nëse shtëpia i përket aktorit të njohur që ka fituar çmimin Oscar, por adresa e dhënë përputhet me atë të një shtëpie që Pitt ka blerë në vitin 2023.
Autoritetet kanë njoftuar se dyshuarit kanë ikur me sende të vjedhura, megjithëse nuk është e qartë se çfarë është marrë. Raportet nga media amerikane tregojnë se aktori nuk ka qenë në shtëpi në momentin e vjedhjes. Pitt ka qenë në Britaninë e Madhe këtë javë për premierën e filmit të tij të ri F1, që pritet të publikohet të premten. Ai ishte i shoqëruar nga aktori i famshëm Tom Cruise dhe kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, i cili ka fituar shtatë tituj Kampion i Botës për Shoferët.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, sipas kohës lokale të mërkurën dhe policia e Los Angeles nuk ka konfirmuar ende vlerën e sendeve të vjedhura. BBC-ja ka kontaktuar përfaqësues të aktorit për koment. Shtëpia e madhe me tre dhoma gjumi ndodhet në afërsi të Parkut Griffith, që është vendndodhja e famshme e Shenjës së Hollyëood-it. Shtëpia është e rrethuar nga një gardh i lartë dhe bimësi, që e mbron atë nga shikimi i kalimtarëve.
Së fundmi, Pitt ka surprizuar ndjekësit me një deklaratë të drejtpërdrejtë gjatë një interviste në podcast-in “Armchair Expert” të Dax Shepard. I pyetur për jetën e tij personale, Pitt u shpreh me sinqeritet se nuk ka pasur kurrë një ‘përvojë me burrë’. “Nuk kam pasur kurrë një përvojë me një burrë”-tha 61-vjeçari. I njëjti shtoi: “Jam pak me vonesë, por nëse do ta kisha bërë, nuk do të ishe ti ai që do të vinte”. Ai vijoi me ironi, duke thënë se Shepard do të ishte “i 14-ti apo i 15-ti në radhë” në një listë imagjinare për përvoja të tilla. Pjesa u prit me të qeshura në studio, me Shepard që e mori gjithashtu me sportivitet, duke i kthyer me të njëjtin ton: “Do të duhet të përgatitesh mirë për mua”.