Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ushtria e Koresë së Jugut ka rënë në rreth 450,000 pjesëtarë, një ulje prej 20% krahasuar me gjashtë vite më parë, sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes të publikuar të dielën.
Autoritetet theksojnë se shkaku kryesor i kësaj rënieje është norma jashtëzakonisht e ulët e lindjeve në vend, e cila ka arritur në vetëm 0.75 fëmijë për grua – më e ulëta në botë.
Koreja e Jugut mban ende shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë meshkujt e aftë, për shkak se vendi mbetet teknikisht në gjendje lufte me Korenë e Veriut, e cila ka rreth 1.3 milion ushtarë aktivë. Një studim i botuar në korrik paralajmëron se për një mbrojtje efektive ndaj një sulmi nga veriu, vendi ka nevojë për të paktën 500,000 trupa.
Raporti tregon se numri i divizioneve ka rënë nga 59 në vitin 2006 në 42 aktualisht, me një pjesë të njësive të shkrira ose të shpërbëra. Për t’iu përgjigjur tensioneve gjeopolitike, Koreja e Jugut ka rritur buxhetin e mbrojtjes, i cili për vitin 2025 kap vlerën e mbi 60 trilionë wonësh (rreth 43 miliardë dollarë), më shumë sesa GDP-ja e Koresë së Veriut.
Shërbimi ushtarak në vend zgjat 18 muaj, me përjashtime të rralla dhe mundësi shtyrjeje. Debati rreth kësaj çështjeje është bërë pjesë e diskutimeve më të gjera mbi barazinë gjinore, me disa zëra konservatorë që kërkojnë rekrutimin edhe të grave, përballë krizës demografike.
Norma e lindjeve në Kore të Jugut ka thyer disa herë rekordin botëror për nivelin më të ulët, duke kaluar nga 0.98 në vitin 2018, në 0.84 në 2020, 0.72 në 2023 dhe 0.75 në vitin 2024. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, popullsia aktuale prej 50 milionësh mund të përgjysmohet brenda 60 viteve.