Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjykatësi amerikan Frank Caprio, i njohur nga miliona ndjekës në mbarë botën si “gjykatësi më i mirë në botë”, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare pas një beteje me kancerin e pankreasit.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një njoftimi në Instagram, ku ai u kujtua për “ngrohtësinë, humorin dhe besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve”. I biri, David Caprio, falënderoi publikun për mbështetjen dhe u bëri thirrje njerëzve që në kujtim të babait të tij të “shpërndajnë pak mirësi”.
Frank Caprio u bë i njohur fillimisht në qytetin e tij të lindjes, Providence, Rhode Island, ku për vite me radhë gjykoi raste të thjeshta, duke i trajtuar me drejtësi, empati dhe një qasje njerëzore. Me emisionin televiziv Caught in Providence, ai u shndërrua në një fenomen global, duke arritur miliarda shikime në rrjetet sociale dhe tre nominime për çmimet Daytime Emmy.
Ai shpesh shfaqej duke i ftuar fëmijët të uleshin pranë tij në bankën gjyqësore, ndërsa videot e tij virale u bënë simbol i gjykimit me zemër dhe jo vetëm me ligj.
Caprio u kujtua nga kompania pas emisionit të tij, Debmar-Mercury, si një figurë që solli “një kombinim unik të dhembshurisë dhe arsyes së shëndoshë”.
Ai u diagnostikua me kancer në vitin 2023, duke e përballuar me vendosmëri dhe duke u shprehur se ishte “gati të luftonte sa më shumë që të mundej”. Në postimet e fundit në rrjetet sociale, ai kërkoi lutje nga ndjekësit e tij, duke treguar edhe një herë lidhjen e ngushtë që kishte krijuar me publikun.
Frank Caprio lë pas bashkëshorten e tij Joyce, me të cilën ishte i martuar prej gati 60 vitesh, pesë fëmijë, shtatë nipër e mbesa dhe dy stërnipër.