Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Guillermo del Toro po rikthen në ekran një nga historitë më të njohura të letërsisë botërore. Netflix ka konfirmuar se adaptimi i tij i Frankenstein, bazuar në romanin e Mary Shelley të vitit 1818, është projekti i dytë më i shtrenjtë i regjisorit me një buxhet prej 120 milionë dollarësh – pas Pacific Rim (2013), që kushtoi 190 milionë dollarë.
Filmi sjell historinë e shkencëtarit të talentuar, por arrogant, Victor Frankenstein, i cili jep jetë një krijese përmes një eksperimenti të pamatur, duke hapur rrugën për tragjedi për të dy. Rolin e shkencëtarit e luan Oscar Isaac, ndërsa Jacob Elordi është përbindëshi. Krahas tyre, në kastë gjenden Mia Goth, dy herë fituesi i çmimit Oscar Christoph Waltz, si dhe aktorë të tjerë të njohur si Felix Kammerer, Lars Mikkelsen, Burn Gorman, Christian Convery dhe yje nga Game of Thrones si Charles Dance, Ralph Ineson dhe David Bradley.
Në një intervistë për Variety, del Toro deklaroi se çdo film i tij synon të duket dyfish më i shtrenjtë sesa buxheti real:
“E konsideroj si detyrim financiar dhe artistik që ambicia ime të tejkalojë gjithmonë buxhetin.”
Netflix ka planifikuar një premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecia më 30 gusht, ndërsa një publikim të kufizuar në kinema më 17 tetor, një strategji e rrallë për platformën që zakonisht fokusohet tek transmetimi online.
Ky investim e pozicionon Frankenstein si një nga projektet më të rëndësishme të vitit, si për potencialin komercial, ashtu edhe për garën në sezonin e çmimeve. Del Toro tashmë është fitues i tre çmimeve Oscar – për The Shape of Water dhe Pinocchio – dhe Netflix duket i gatshëm të garojë sërish për sukses kritik dhe publik.