Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Autoritetet kineze kanë nisur një fushatë dy mujore për të kufizuar përmbajtjen “tepër negative” dhe “pessimiste” në rrjete sociale. Sipas Administratës së Hapësirës Kibernetike të Kinës, synimi është krijimi i një “mjedisi më civilizuar dhe racional online”.
Në shënjestër janë shprehjet që nxisin mosbesim te shkollimi apo puna, si dhe përmbajtjet që nxisin ndjenja lodhjeje apo humbje motivimi. Kjo ndodh në një periudhë të vështirë ekonomike për vendin, me papunësi të lartë te të rinjtë dhe konkurrencë të ashpër për vende pune dhe universitete.
Në këtë kuadër, disa influencerë të njohur janë përballur me ndëshkime – që nga bllokimi i llogarive deri te ndalimi i përhapjes së përmbajtjes së tyre. Platformat e mëdha si Weibo, Kuaishou dhe Xiaohongshu janë paralajmëruar gjithashtu për masa ndëshkuese, nëse nuk kontrollojnë përmbajtjen e përdoruesve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se fshirja e pesimizmit nga interneti nuk do të thotë se problemet themelore zgjidhen. Papunësia, presioni ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen vazhdojnë të ushqejnë frustrimin e gjeneratës së re në Kinë.