Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Meta ka bërë të ditur se nga data 16 dhjetor 2025, bisedat që përdoruesit bëjnë me Meta AI – chatbot-in e saj të integruar në Facebook, Instagram, WhatsApp dhe aplikacionin e veçantë – do të përdoren për targetim të reklamave dhe përzgjedhjen e përmbajtjes që u shfaqet përdoruesve.
Kompania shpjegon se nëse një përdorues i flet chatbot-it për hiking, blerje ose planifikimin e një udhëtimi, kjo do të shndërrohet në sinjal për të ofruar reklama apo përmbajtje të lidhura me këto tema.
Meta thekson se nuk do të përdorë për reklama bisedat që lidhen me tema të ndjeshme, si orientimi seksual, përkatësia fetare, shëndeti apo bindjet politike, në përputhje me politikat ekzistuese. Megjithatë, bisedat rreth interesave të përditshme do të ndikojnë drejtpërdrejt në atë që përdoruesit shohin në platformat e saj.
Sipas të dhënave, Meta ka 1 miliard përdorues mujorë aktivë të Meta AI dhe vetëm tremujorin e fundit ka realizuar mbi 46.5 miliardë dollarë nga të ardhurat nga reklamat, një rritje prej 21% krahasuar me vitin e kaluar. Vlera e tregut të kompanisë ka arritur në 1.8 trilionë dollarë më 1 tetor.
Ky zhvillim vjen në kohën kur edhe kompani të tjera teknologjike, përfshirë OpenAI, po testojnë mënyra të reja për të integruar blerjet online përmes chatbot-ëve, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit bëjnë kërkime apo blejnë produkte në internet.