Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Shqipëria po përballet me një rritje të rasteve të reja me HIV, pas një periudhe relativisht të qëndrueshme. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri në tetor të vitit 2025 janë regjistruar 125 raste të reja, duke shënuar nivelet më të larta që nga viti 2016.
Që nga viti 1993, numri total i personave të diagnostikuar ka arritur në 1,973. Rastet mbeten të përqendruara kryesisht në zonat urbane, ku Tirana zë pothuajse gjysmën e totalit, e ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani.
Sipas studimit, HIV prek kryesisht grupmoshat aktive, me incidencën më të lartë tek të rinjtë 25–29 vjeç. Raporti gjinor mbetet i lartë, me 3.5 meshkuj për çdo 1 femër të diagnostikuar.
Transmetimi kryesor vazhdon të jetë përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, duke përbërë 87% të rasteve në vitin 2025. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për nënraportim në grupe të caktuara për shkak të stigmës.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet diagnostikimi i vonë: 34% e rasteve të reja janë zbuluar në fazën AIDS, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e trajtimit në kohë.
Megjithëse testimi është falas dhe konfidencial në institucionet publike dhe laboratorët e certifikuar, shumica e testimeve vazhdojnë të bëhen vetëm pas rekomandimit mjekësor.
Ekspertët theksojnë se testimi i hershëm është kyç për parandalimin dhe trajtimin efektiv, duke e cilësuar njohjen e statusit si një përgjegjësi personale dhe shoqërore.