Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Aktori legjendar britanik, Patrick Stewart, ka hedhur poshtë të gjithë zërat që qarkullonin në internet se ai do të pensionohet nga aktrimi pas përfundimit të filmit të shumëpritur të Marvel-it, Avengers: Doomsday. Stewart, i cili u bë i famshëm për publikun botëror me rolin ikonik të Profesor Charles Xavier në sagën X-Men që nga viti 2000, konfirmoi se nuk ka ndërmend t'i thotë lamtumirë Holivudit.
Në një intervistë për TV Insider, 85-vjeçari sqaroi se, ndonëse rolet dhe ofertat bëhen më të rralla me kalimin e moshës, ai do të vazhdojë të jetë aktiv. Përveç rikthimit të tij në universin Marvel, Stewart tashmë ka nënshkruar për projekte të reja, përfshirë serialin e animuar të Netflix-it, Barbaric, i cili do të ketë si regjisor Michael Bay.
Rikthimi i tij i fundit në rolin e Profesor X në filmin Doctor Strange in the Multiverse of Madness (2022) u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga fansat, gjë që dëshmon se audienca dëshiron ta shohë akoma në ekran. Filmi i ri Avengers: Doomsday, ku rikthehet Stewart, pritet të shfaqet nëpër kinema në dhjetor të këtij viti.