Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota për një rezolutë që trajton vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rastet e tjera të vrasjes së grave dhe dhunën në familje.
Rezoluta synon të rrisë përgjegjësinë institucionale dhe të forcojë mekanizmat për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.
Ndër masat e propozuara janë themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësitë institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, krijimi i qendrave shtetërore për strehimin dhe mbrojtjen e grave e fëmijëve, si dhe forcimi i ndihmës juridike falas.
Rezoluta parasheh gjithashtu masa për parandalimin e dhunës në shkolla, trajtimin e dhunës digjitale, krijimin e qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale dhe shqyrtimin e ndryshimeve ligjore, përfshirë përcaktimin e femicidit si vepër të veçantë penale.
Gjatë seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kritikoi deputetët që nuk qëndruan në sallë për të votuar rezolutën, duke theksuar se secili duhet ta mbajë përgjegjësinë e vet.