Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kosova është e gatshme të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), por dislokimi i tyre varet nga gatishmëria e kësaj force për t’i pranuar.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes për gazetën izraelite “The Times of Israel”.
Kontributi i Kosovës pritet të përfshijë një ekip për çminimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese, një komandant kontingjenti që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel shtesë. Numri i përgjithshëm i pjesëtarëve që do të përfshihen në mision nuk është bërë i ditur.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëtarët e Kosovës janë trajnuar nga forcat partnere në muajin maj, ndërsa një ekip i FSK-së kishte zhvilluar një vizitë vlerësuese në Gaza më 26 prill, për të shqyrtuar zonën ku pritet të veprojnë.
Kosova e nënshkroi marrëveshjen për pjesëmarrje në këtë mision më 7 shtator. Ndërkohë, Shqipëria e ka finalizuar marrëveshjen e saj gjatë fundjavës, ndërsa oficerët shqiptarë të ndërlidhjes pritet të dislokohen në rajon gjatë muajit nëntor.
Megjithatë, dislokimi i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit ende nuk ka nisur. Plani i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara synon të kontribuojë në sigurinë e zonave nga të cilat tërhiqen trupat izraelite, trajnimin e policisë palestineze dhe mbrojtjen e operacioneve humanitare.
Zbatimi i planit është përballur me vonesa dhe mosmarrëveshje, kryesisht rreth çarmatimit të Hamasit, tërheqjes së trupave izraelite dhe rindërtimit të Gazës.