Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Çmimet e larta të ushqimeve vazhdojnë të rrezikojnë mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta në Kosovë. Sipas Bankës Botërore, ushqimi përbën 64 për qind të konsumit të përgjithshëm të familjeve më të varfra, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve.
Në raportin e fundit për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, të publikuar të martën, Banka Botërore vlerëson se varfëria në Kosovë pritet të vazhdojë të bjerë, por çmimet e larta të ushqimeve mbeten një rrezik i rëndësishëm për qytetarët me të ardhura të ulëta.
Raporti thekson se rritja e çmimeve ua vështirëson këtyre familjeve përballimin e nevojave të tjera bazë, pasi pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzojnë për ushqim.
Ndërkohë, rritja e pensioneve, transfereve sociale dhe pagave në sektorin publik ka ndihmuar të ardhurat e familjeve në afat të shkurtër. Megjithatë, Banka Botërore ngre shqetësime për qëndrueshmërinë e financave publike.
Sipas raportit, gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, shpenzimet publike në Kosovë janë rritur për 19 për qind, ndërsa të hyrat publike për 9 për qind.