Për qytetarët çmimet e produkteve vazhdojnë të jenë të papërballueshme. Për sivjet është paraparë rritje ekonomike prej 4.2 për qind, por sipas njohësve të ekonomisë, përderisa Kosova të mos shënojë rritje ekonomike mbi 8 për qind, nuk do të ketë efekt direkt te qytetarët, por vetëm te bizneset e mëdha.
Shkalla e inflacionit në shkurtin e sivjetmë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rritur për 2.2 për qind, nga muaji i njëjtë i vitit të shkuar, kur ishte 10.5 për qind.
Ndërsa vitin 2022 Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare të inflacionit gati 12 për qind. Por rënia e përqindjes së inflacionit sivjet nuk nënkupton ulje të çmimeve të produkteve dhe as përmirësim të kushteve të qytetarëve.
Për qytetarët, çmimet e produkteve vazhdojnë të jenë të papërballueshme.
“Para dy viteve me 10 euro kemi mundur ta mbushim një qese me ushqime, kurse tani nuk mund të marrësh as dy produkte me 10 euro… produktet e përdorimit të përditshëm siç është vaji, janë frutat, zarzavatet dhe janë rritur edhe një pjesë e madhe të shërbime. Përveç jetesës ka rritur edhe vështirësinë për t’i blerë, pasi nuk e kontrollojnë inflacionin e këtyre produkteve”, ka thënë qytetari Tomor Avdijaj.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Erton Bega, qytetarët nuk do ta ndiejnë lehtësimin e normës së inflacionit, derisa pagat nuk rriten në hap me çmimet.
“Para 3 vite apo katër kur paga e shumicës ka qenë 200-250 euro, 40 për qind e të hyrave mesatare të banorëve të Kosovës kanë shkuar në blerjen e produkteve esenciale, sot edhe pas rritjes së pagave që ka ndodhur në sektorin publik dhe privat, pjesëmarrja e shpenzimeve në shportën mesatare të një familje sillet rreth 58 për qind bazuar në anketën e entit të statistikave”, është shprehur Bega.
Në një raport të publikuar këtë vit, Banka Botërore parashikoi se aktiviteti ekonomik në vend do të shënojë rritje për rreth 4.2 pёr qind.
Por, sipas Begës, kjo rritje ekonomike nuk do të ketë efekt direkt te qytetarët por vetëm te bizneset e mëdha.
“Rritja ekonomike e Kosovës duhet të jetë mbi nivelet 7-8 për qind në mënyrë që kjo të vërehet nga secili qytetarë sa i përket impaktit të drejtpërdrejt pozitiv në standardin e jetesës. Rritjet e tilla me standard 3 apo 4 për qind zakonisht janë rritje që shkojnë kryesisht te kompanitë e mëdha”, ka thënë Bega.
Kosova vazhdon të jetë ndër vendet evropiane me Bruto Produktin Vendor më të ulët, ndërsa në bazë të të dhënave të FMN-së mbetet vendi më i varfër në rajon./koha/