Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gazeta ndërkombëtare POLITICO i ka kushtuar një artikull të posaçëm faktit se Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që emëron një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale (AI).
Kryeministri Edi Rama prezantoi gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste anëtaren e re të kabinetit qeveritar, Diellën, një entitet virtual i krijuar me teknologjinë AI. Emri i saj vjen nga fjala “diell” dhe ajo do të jetë përgjegjëse kryesisht për prokurimet dhe fondet publike.
Rama theksoi se Diella është “anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga AI”. Ai shtoi se të gjitha vendimet për tenderët publikë do të kalojnë nëpërmjet saj, duke garantuar një proces “100% të pakorruptueshëm” dhe “100% të lexueshëm”.
Diella tashmë është e njohur për qytetarët shqiptarë, pasi fuqizon platformën e-Albania, duke u shfaqur si avatar i një gruaje të re e veshur me kostum tradicional shqiptar. Përveç vlerësimit të ofertave, ajo pritet të ketë edhe rolin e përzgjedhjes së talenteve nga e gjithë bota, duke shmangur paragjykimet dhe ngurtësinë e administratës.
Ky hap vjen në një kohë kur Shqipëria përballet prej kohësh me kritika për korrupsionin në administratën publike dhe sidomos në fushën e prokurimeve – një çështje e ngritur vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian. Kryeministri Rama, i rizgjedhur për mandatin e katërt në maj 2025, ka ambicie që Shqipëria të bëhet anëtare e BE deri në vitin 2030, dhe prezantimi i Diellës shihet si një hap drejt modernizimit dhe rritjes së transparencës përmes teknologjisë.