Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në aeroporte si Schiphol në Amsterdam, Changi në Singapor dhe Cincinnati në SHBA, tashmë janë duke u testuar automjete plotësisht elektrike dhe vetëdrejtuese, të krijuara për të transportuar bagazhe dhe njerëz. Këto mjete, të prodhuara nga kompania britanike Aurrigo, janë të pajisura me teknologji që u mundëson të lëvizin në të gjitha drejtimet, madje edhe të rrotullohen 360 gradë, gjë që i bën jashtëzakonisht praktike në ambiente të mbushura me mjete aeroportuale.
Sipas CEO-së së kompanisë, David Keene, ky inovacion synon të transformojë mënyrën se si menaxhohen bagazhet, karburanti dhe logjistika brenda aeroporteve. Përveç efikasitetit, automjetet autonome pritet të reduktojnë ndotjen deri në 60% dhe të zvogëlojnë numrin e aksidenteve që ndodhin çdo vit në pistë.
Aktualisht, testimet po zhvillohen në disa aeroporte ndërkombëtare, ndërsa pritet që implementimi i parë komercial të ndodhë deri në vitin 2026. Ky hap shihet si pjesë e transformimit të madh në industrinë e aviacionit, ku automatizimi po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve dhe ngarkesave.