Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shumta të energjisë elektrike që po ndodhin ditëve të fundit në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit të saj, këto ndërprerje po ndodhin në një periudhë kur bizneset tashmë përballen me rritjen e çmimit të energjisë për 16.1%, si dhe me pasiguritë dhe dëmet që ka sjellë procesi i liberalizimit të tregut të energjisë.
DhTIK njofton se ka pranuar dhjetëra ankesa nga biznese anëtare në të gjitha komunat e Kosovës për ndërprerje të paparalajmëruara dhe pa orar të caktuar, të cilat po dëmtojnë rëndë prodhimin, kontratat eksportuese dhe stabilitetin e vendeve të punës.
“Bizneset që veprojnë në tregun e lirë, përkundër tarifave të larta që paguajnë, nuk po marrin furnizim të rregullt dhe të sigurt me energji, gjë që përbën shkelje të parimeve bazë të tregut të hapur”, thuhet në reagimin e Dhomës.
Dhoma u bën thirrje institucioneve përgjegjëse – ZRRE, KOSTT, KEDS, KESCO dhe Ministrisë së Ekonomisë – që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e stabilitetit energjetik dhe publikimin e planit transparent të furnizimit për periudhën në vijim.
Po ashtu, kërkohet që të shqyrtohen mekanizmat kompensues për bizneset që kanë pësuar dëme nga ndërprerjet e vazhdueshme.