Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Çmimet e metaleve të çmuara kanë shënuar rritje, pasi zhvillimet e fundit politike kanë rritur shqetësimet e investitorëve për stabilitetin global. Ari dhe argjendi janë përfituese kryesore nga zhvendosja e kapitalit drejt aseteve të sigurta.
Në tregtimin e mëngjesit në Azi, çmimi i arit u rrit me rreth 1.8%, duke arritur afërsisht 4,408 dollarë për ons, ndërsa argjendi u rrit me gati 3.5%. Të dy metalet kishin shënuar rekorde gjatë vitit 2025, pavarësisht rënieve të lehta në fund të vitit.
Ari, megjithëse pësoi rënie në ditët e fundit të vitit të kaluar, regjistroi performancën më të mirë vjetore që nga viti 1979, me rritje mbi 60%. Kjo u nxitur nga pritjet për ulje të normave të interesit, blerjet e mëdha nga bankat qendrore dhe pasiguria ekonomike globale.
Në anën tjetër, çmimet e naftës kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, pasi analistët vlerësojnë se zhvillimet aktuale nuk pritet të kenë ndikim të menjëhershëm në furnizimin global. Sipas ekspertëve, prodhimi i naftës në Venezuelë përbën vetëm rreth 1% të prodhimit botëror dhe infrastruktura kërkon investime të mëdha për rikuperim.
Ndërkohë, tregjet e aksioneve në Azi-Paqësor kanë shënuar rritje, të nxitura nga optimizmi në sektorin e teknologjisë dhe pritjet pozitive për ekonomitë kryesore të rajonit. Analistët vlerësojnë se ndikimi i zhvillimeve gjeopolitike do të mbetet i kufizuar në tregjet financiare.