Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Jetëgjatësia në botë po rritet dhe, së bashku me uljen e lindshmërisë, pritet që deri në vitin 2050 një në gjashtë persona të jetë mbi 65 vjeç. Kjo po rrit edhe kërkesën për shërbime dhe kujdes për të moshuarit.
Për t’u përballur me këtë sfidë, kompania belge Nobi ka zhvilluar një llambë të mençur që përdor inteligjencën artificiale për të monitoruar të moshuarit në shtëpi dhe qendra të kujdesit.
Pajisja, e pajisur me sensorë dhe kamera, mund të zbulojë kur një person rrëzohet dhe menjëherë të njoftojë kujdestarët. Ajo mund të aktivizojë edhe dritën gjatë natës dhe të paralajmërojë stafin kur dallon situata që mund të çojnë në rrëzim.
Një studim i Universitetit Lancaster, i zhvilluar në 80 qendra kujdesi në Britani, tregoi se teknologjia e Nobi uli me 24% thirrjet për ambulancë dhe me 32% mundësinë e rrëzimeve. Koha mesatare e reagimit të stafit ndaj një rrëzimi u ul nga 11 minuta në më pak se tre minuta.
Pajisja mund të ruajë pamjet e një rrëzimi për një periudhë të kufizuar, ndërsa përdoruesit mund të zgjedhin që ato të shfaqen si video reale, si imazh i stilizuar apo të mos ndahen fare.
Ekspertët thonë se teknologji të tilla mund të ndihmojnë në lehtësimin e mungesës së stafit, por nuk synojnë të zëvendësojnë kujdestarët, por t’i ndihmojnë ata të reagojnë më shpejt kur nevojitet.