Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kënga e Nexhmije Pagarushës jehon si trashëgimi e inspirim

Kulturë  |  02.08.2023 Ora 11:06   

Pas vetes ka lënë këngë të pavdekshme, të cilat e mbajnë ende gjallë zërin e saj dhe vazhdojnë të jenë inspirim për shumë artistë. Koncerti dedikuar Bilbilit të Kosovës përmbylli edicionin e tretë të festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”. Të përpunuara me kujdes, këngët u interpretuan nga pesë këngëtarë të muzikës klasike nën përcjelljen e “Keli Band”

Janë këngë të cilat nuk e përbëjnë thjesht një repertor muzikor, por janë pjesë e kujtesës kolektive të një epoke të tërë, një trashëgimi e cila vazhdon të jehojë edhe pas vdekjes së bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Programi me perla nga repertori i saj u shpalos para publikut në natën përmbyllëse të edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”.

Sopranot Kaltrina Miftari, Besarta Murtezani, baritoni Adhurim Grezda, mexosopranoja Ardiana Bytyqi dhe tenori Gerald Murrja, secili i njohur për talentin, e çuan publikun në një udhëtim të paharrueshëm nëpër krijimtarinë e Pagarushës. Gjatë tërë koncertit, këngëtarët i përcolli jazz-grupi “Keli Band”, që e hapi mbrëmjen me “Bareshën” e njohur, të përpunuar në mënyrë delikate dhe në stilin e veçantë.

Saksofonisti i “Keli Band”, Brikel Guga, ka thënë se për këtë koncert ka ndier përgjegjësi të madhe, duke e marrë parasysh peshën e këtyre këngëve në repertorin e muzikës shqipe.

 
Image
Zëri i Bilbilit të Kosovës ka jehuar nëpërmjet këngëve të saj, me të cilat ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë e muzikës shqipe (Foto: Sovran Nrecaj/RLIOF)

“Për ne ka qenë sfidë shumë e madhe ky koncert, që në momentin e parë që na u propozua, e menduam se kishte shumë përgjegjësi. Të marrësh perla dhe t’i kthesh në këtë lloj varianti, ishte e vështirë dhe një nga vështirësitë ishte përballja me publikun, duke pasur parasysh që publiku i ka dëgjuar këto këngë siç kanë qenë dhe frika jonë ishte se si do të pritej, sepse normalisht jemi në një vend ku nuk e njohim edhe shumë mirë publikun, por them që e kemi kaluar me goxha sukses dhe me goxha emocion. Gjithçka është shijuar dhe ajo që ne kemi dashur ta përcjellim, është përcjellë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Guga.

Me këngën “Një lule”, sopranoja Kaltrina Miftari e nisi koncertin. Vazhdoi me “Sytë për ty i kam të njomë” dhe pas saj secili prej këngëtarëve interpretoi nga dy prej këngë si pjesë të programit.

Sopranoja Besarta Murtezani interpretoi këngët “Kur më shkon si zog n’hava”, gjatë së cilës publiku nuk mundi të përmbahej dhe nisi me duartrokitje që në fillim, dhe “Pse më tradhton”. Ajo ka thënë se ky koncert erdhi me më shumë emocion sesa zakonisht.

“Përgjegjësi shumë e madhe, pasi që këngët janë të dëgjuara dhe të stërdëgjuara. Edhe po deshe të bësh diçka, të fusësh ndonjë element, duhet shumë me kujdes, pasi që edhe publikun duhet ta kënaqim edhe të mos ia heqim origjinalitetin”, ka thënë Murtezani.

Zëri i Bilbilit të Kosovës ka jehuar nëpërmjet këngëve të saj, me të cilat ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë e muzikës shqipe. Një tjetër këngë ikonike është “I dehur jam”. Melodia tërheqëse dhe teksti i kësaj kënge i ka tejkaluar brezat, duke u kthyer në një këngë simbol dhe të pavdekshme. Interpretimi i saj i ishte besuar baritonit Adhurim Grezda.

“Kënaqësi gjithmonë është kur këndohen këngët e tilla të një mbretëreshe tashmë të ndjerë, zonjës së nderuar Nexhmije Pagarusha. Janë këngë me të cilat jemi rritë, janë këngë që i kemi mësuar instinktivisht, por tash kur filluam t’i punojmë me bendin dhe kolegët, tingëlluan bukur dhe na e dhanë një satisfaksion shumë të madh”, ka thënë Grezda.

Amfiteatri i ri i Bibliotekës Qendrore Universitare qe i mbushur plot me publik të hënën mbrëma tek kremtoi gjenialitetin muzikor të Nexhmije Pagarushës, e cila vdiq më 7 shkurt të vitit 2020. Kënduan dhe vallëzuan gjatë tërë koncertit, i cili ka zgjatur gati dy orë.

Image
Amfiteatri i ri i Bibliotekës Qendrore Universitare qe i mbushur plot me publik të hënën mbrëma tek kremtoi gjenialitetin muzikor të Nexhmije Pagarushës (Foto: Sovran Nrecaj/RLIOF)

Koordinatorja e programit artistik të festivalit, Ulpiana Aliaj, ka thënë se i tërë përkushtimi dhe puna për realizimin e kësaj mbrëmjeje ia ka vlejtur, pasi që festivali u përmbyll në këtë formë.

“Përkushtimi ka qenë vërtet i madh, puna gjithashtu, por besoj që ia ka vlejtur e gjitha, sepse besoj që sot ndamë emocione shumë të veçanta me publikun e pranishëm, siç ju e patë, e patëm një kërshëri shumë të madhe me shumë njerëz, të ulur e në këmbë, të cilët megjithatë dëgjuan me shumë vëmendje dhe me shumë ëndje muzikën e së madhes Pagarusha”, ka thënë Aliaj.

Edhe në edicionet e kaluara të festivalit pjesë e programit ka qenë një natë dedikuar Pagarushës.

Aliaj ka thënë se sivjet artistët janë përzgjedhur nga treva të ndryshme shqiptare, ashtu sikurse muzika e saj që i ka kaluar kufijtë e Kosovës.

“Ne kemi gjithmonë një mbrëmje dedikuar zonjës Pagarusha dhe sigurisht që në festivalin tonë ka një vend shumë të veçantë. Menduam që këtë herë, meqenëse e hapëm me gala, nata përmbyllëse të ishte pikërisht dedikim ndaj saj, sepse besojmë që është një artiste me shumë vlera dhe shumë e vyer për të gjitha zemrat dhe artistët mbarëkombëtarë”, ka përfunduar Aliaj.

Koncerti dedikuar Nexhmije Pagarushës u përmbyll kur në skenë u kthye pesëshja e mbrëmjes dhe bashkë interpretuan një kolazh me 7 këngë të tjera, përfshirë “Mora testin”, “Kur një ditë të kthehesh ti”, “O moj bukuroshe dhe në fund “Prishtinë e dashur”.

Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të operës, “Ramë Lahaj” sivjet erdhi me pesë koncerte. U hap me gala-mbrëmjen “Ramë Lahaj and friends” në sheshin “Skënderbeu”, ku në skenë u ngjitën yje botërore të operës, si tenori Alessandro Safina, baritoni Massimo Cavalletti nga Italia e sopranoja ukrainase, Yulia Suleimanova, bashkë me tenorin Ramë Lahaj. Qe një mbrëmje unike, ku tre mijë veta patën rastin të dëgjojnë interpretime mjeshtërore të arieve e operave “La Traviata”, “Makbethi”, “Tosca”, “Romeo dhe Zhulieta”, por edhe pjesë të tjera. Në një vend ende të bllokuar, koncerti solli magjinë e skenave botërore. “Opera për Liri”, ka qenë motoja e edicionit të sivjetmë. Koncerti i dytë, më 25 korrik solli kontratenorin e njohur iranian, Cameron Shahbazi, shoqëruar nga pianistja Sophia Eva Munoz dhe Eno Nushi në violonçel, për të vazhduar dy net më pas me “Natën e operës” me “Nata e operës” me sopranon Leonor Bonilla, tenorin Mert Süngü dhe baritonin Simon Mechliński. Koncerti i katërt iu dedikua gjeneratës së re tek u shfaqën rezultatet e atyre që punuan me mjeshtrin e vokalit, tenorin meksikan, Francisco Araiza. Maratonës së koncerteve i ka prirë ekspozita “Rrnofsh sa malet!” me kuratore Övül Ö. Durmuşoğlu e cila ka ardhur si thirrje për ndërgjegjësim në mbrojtje të natyrës. Aty janë bashkuar peizazhet idilike, që njëkohësisht ndjellin kthimin në realitet që është kontrasti i tyre./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing