Këngëtarja e njohur Jessie J deklaroi se është diagnostikuar me kancer gjiri në fazat e hershme të tij. 37-vjeçarja e zbuloi diagnozën në Instagram duke thënë se po planifikonte të bënte një ndërhyrje kirurgjikale pas performancës së saj në Capital’s Summertime Ball, një mini-festival në stadiumin Wembley të Londrës, më vonë gjatë këtij muaji. Këngëtarja e hitit “Price Tag” vuri në dukje se kohët e fundit kishte bërë vazhdimisht teste.
Këngëtarja britanike, ndau së fundmi një foto dhe video nga spitali nëpërmjet profilit të saj në Instagram, të cilat u bënë gjatë 48 orëve të fundit të trajtimit të saj. Ylli 37-vjeçar ka vendosur të flasë hapur rreth asaj se si shkoi operacioni dhe të ndajë disa nga momentet e saj të vështira.
Në disa foto dhe video, Jessie J shihet duke qarë në shtratin e spitalit ndërsa bashkëshorti i saj Chanan qëndron aty duke e mbështetur. Ajo gjithashtu ndau foto dhe video me djalin e saj Sky Safir. “Ky postim përmban disa nga uljet dhe ngritjet e 48 orëve të fundit.
Jam mirënjohëse ndaj mjekut/kirurgut tim dhe të gjitha infermierëve që u kujdesën për mua, si dhe familjes dhe miqve të mi që erdhën të më vizitonin. Tani jam në shtëpi, duke pushuar dhe duke pritur rezultatet”-vazhdoi ajo.