Ekzistojnë pak kufizime për ekipet që mund të marrin pjesë në njërën nga tri kompeticionet e UEFA-s, por shumë klube janë ndaluar plotësisht.
I fundit në këtë listë është Crystal Palace, që u përjashtua nga Liga e Evropës dhe u transferua në Ligën e Konferencës për shkak të shkeljeve të rregullave për pronësinë mbi shumë klube.
Në vitin 2019, klubi italian Milan u ndalua nga garat europiane për shkak të shkeljeve të ‘Fair-play’ financiar.
Një vit më parë, UEFA kishte dhënë një nga dënimet më të mëdha në histori, duke pezulluar për 10 vjet klubin shqiptar Skënderbeu nga garat e saj, pasi u shpallën fajtor për trukim ndeshjesh.
Në vitin 2016, klubi ukrainas FC Dnipro u pezullua nga Liga e Evropës për tre vjet për shkak të parregullsive financiare.
Klubi azer Inter Baku gjithashtu mori një ndalim trevjeçar në 2016, që do të zbatohej vetëm për garën europiane të ardhshme për të cilën do të kualifikohej gjatë atyre tre viteve. Ata nuk morën pjesë në Ligën e Evropës në sezonin 2016/2017 për këtë arsye.
Klubi turk Fenerbahce nuk mori pjesë në Ligën e Evropës për dy sezone pasi u dënua për trukim ndeshjesh.
Edhe Besiktas, tjetër klub turk, u dënua për një vit nga Liga e Evropës për akuza të ngjashme, por ky ishte dënimi i tyre i parë, për dallim nga Fenerbahce që kishte bërë shkelje për herë të dytë.
Në verën e vitit 2012, UEFA refuzoi licencën për Rangers për të marrë pjesë në garën e tyre të dytë, pasi klubi ishte në administrim dhe nuk kishte dorëzuar llogaritë financiare për vitin 2011.
Në të njëjtin vit, klubi spanjoll Malaga u pezullua për dy vite nga garat e UEFA-s, duke përfshirë Ligën e Evropës, për shkak të faturave të papaguara.
Së fundi, klubi zviceran FC Sion u përjashtua nga Liga e Evropës gjatë sezonit 2011/2012 pasi u zbulua se kishin përdorur lojtarë të cilët nuk kishin të drejtë loje.