Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një kartë basketbolli e rrallë që përfshin Michael Jordan dhe Kobe Bryant është shitur për 12.932 milionë dollarë në një ankand të organizuar në Dallas nga Heritage Auctions, duke u bërë karta sportive më e shtrenjtë ndonjëherë.
Karta, pjesë e koleksionit “2007-08 Upper Deck Exquisite Collection Dual Logoman”, përmban fotografitë e dy yjeve të basketbollit, nënshkrimet e tyre dhe logot e NBA të shkëputura nga fanellat që kanë veshur. Sipas Heritage, ky është ekzemplari i vetëm i prodhuar që përfshin vetëm Jordan dhe Bryant, gjë që e bën atë jashtëzakonisht të rrallë.
Edhe pse vlerësimi fillestar para-ankandit ishte rreth 6 milionë dollarë, çmimi i shitjes kaloi çdo pritje, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 12.6 milionë dollarësh të vendosur në vitin 2022 nga karta e bejsbollit e Mickey Mantle.
Megjithatë, artikulli më i shtrenjtë i memorabilia sportive mbetet fanella e Babe Ruth nga viti 1932, e shitur në gusht 2024 për 24.12 milionë dollarë.